Marifeti i qeverisjes

Ndonëse Kosova ka dhjetëra parti politike, vetëm disa nga ato arrijnë të fitojnë një përqindje votash sa për të qenë brenda institucioneve, qoftë të nivelit lokal apo të nivelit qëndror.

Lajme

06/05/2017 18:05

Secila nga këto parti sulmon tjetrën për mënyrën se si menaxhohet një qytet apo vendi në përgjithësi. Aktualisht udhëheqja në Kosovë është goxha e polarizuar sidomos ajo e nivelit lokal, meqë nuk ka subjekt që ka qenë fuqi parlamentare dhe nuk e udhëheqë të paktën një komunë.

Kemi Partinë Demokratike të Kosovës që udhëheqë me disa qytete të mëdha si dhe me disa qyteza, ashtu kemi edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që udhëheqë me disa nga qytetet e mëdha ndonëse bastionin kryesor Prishtinën e humbi nga Vetëvendosja, pastaj kemi AAK-në që udhëheqë me disa qyteza të vogla ashtu siç kemi AKR-në dhe Nisma’n që po ashtu udhëheqin komuna në pushtetin lokal.

Edhe në zgjedhjet parlamentare pothuajse të gjitha subjektet kanë qenë pjesë e pushtetit duke përjashtuar Vetëvendosjen. Fillimisht Kosova kishte një koalicion të zgjeruar më të gjitha partitë LDK, PDK, AAK pastaj ishte koalicioni LDK-AAK, për të   vazhduar me PDK-LDK, koalicioni i parafundit ishte ai PDK-AKR dhe koalicioni i tanishëm PDK-LDK. Me këtë specifikim të koalicioneve thjeshtë kalova nëpër disa lëvizje të  subjekteve politike për koalicione në periudha të ndryshme.

I gjithë ky rekapitullim nuk është më i rëndësishëm se fakti që të gjitha subjektet politike relevante në Kosovë qoftë ne nivel komunal ose në nivel qendror ishin në pushtet, pra të paktën kanë provuar të udhëheqin dhe të menaxhojnë qoftë një komunë, një drejtori, një ministri. Prandaj në përputhje me hapësirën dhe nivelin e udhëheqjes, të gjitha kanë treguar defekte dhe është normale, ajo parti që ka pushtet më shumë mund ti vërehen edhe defekte më shume ashtu siç është  normale që ajo parti që ka pushtet me pak edhe defektet i vërehen më pak, mirëpo e përgjithshmja është se të gjitha e kanë treguar “marifetin” e qeverisjes.

Se si qeverisë PDK, LDK dhe AAK me shtetin e kemi kuptuar sepse të tria kishin drejtuar minimum një mandat qeverinë. Ndërsa për ta kuptuar se si do të qeveriste Vetëvendosje mund ta marrim si “marifet” qeverisjen në Prishtinë, një qeverisje e mbushur me dështime, me punësime të militantëve partiak, me favorizime në tenderë dhe me premtime të pambajtura. Po ashtu mostër se si do të qeveriste AKR, e kemi Mitrovicën, një qeverisje e ‘këpurdhave’, pa dinamikë, me një përqindje të  madhe të premtimeve të pambajtura, me një kryetar komune të paparashikuar dhe aspak stabil, me punësime familjare dhe partiake etj. Gjithashtu edhe Nisma ka treguar një pasqyrë se si do ta qeveriste vendin, mjafton të marrim si mostër udhëheqjen e Malishevës, ku qytetarët flasin për një komunë të kapur komplet nga Nisma.

Për të dalur nga subjektiviteti i preferencave të mia politike, konsideroj se Kosova në të gjitha nivelet qeverisëse meriton më mirë dhe më shumë.