Maria Bamieh flet se si shpëtoi Sami Hamiti nga akuza për korrupsion

Ajo që unë e kam denoncuar ka qenë e bazuar, por kanë refuzuar ta hetojnë. Në vend të kësaj, ata (EULEX-i) ka filluar të më terrorizojë dhe të më ndjekë, deklaroi Maria Bamieh, prokuroja e suspenduar e EULEX-it, në një intervistë për televizionin N1.  

Lajme

29/12/2014 23:54

Bamieh përmendi gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë në Kosovë, të cilët nuk i kanë hetuar denoncimet e saj për korrupsion, dhe të cilat, sipas saj, janë zhdukur në mënyrë misterioze, kurse pastaj ajo është bërë edhe shënjestër dhe është suspenduar, transmeton lajmi.net. 

“Sikur këta të mos ishin gjykatës dhe prokurori kryesor i EULEX-it, sikur të ishte vetëm një njeri i rëndomtë që do të paraqiste dëshmi, do të thosha se ekziston dyshim i bazuar dhe kjo do të ishte bazë për hapjen e hetimit formal. Kurrë nuk kam deklaruar se me siguri janë fajtorë, sepse të gjithë janë të pafajshëm derisa të mos dëshmohet e kundërta, por në këtë rast dëshmitë janë shumë të fuqishme dhe kjo kërkon hetim adekuat. Fatkeqësisht, pasi EULEX-i i ka zvarritur më shumë se një vit denoncimet e mia, ata kanë rrezikuar hetimin dhe konsideroj që kësisoj është vepruar me qëllim”, tha Bamieh.  

BE-ja e ka dërguar hetuesin e saj special  dhe Ombudspersonin, të cilët do të hetojnë akuzat dhe dëshmitë që i ka paraqitur Bamieh.

“Zyra e Ombudspersonit para pak kohësh ka zbuluar që denoncimi im nuk gjendet askund në EULEX, gjë që është shumë e dyshimtë, pasi unë denoncimin e kam bërë me shkrim, me e-mail”, shtoi ajo.

Sipas Bamieh gjyqtarë dhe prokurorë kanë marrë para dhe kanë qenë shumë të afërt me grupet politike dhe kriminale në Kosovë.

Ajo foli edhe se si në disa raste është ndërprerë hetimi për arsye të korrupsionit, me urdhër të elitës kosovare.

“Pati shumë të tjerë, si ai i Sami Hamitit, rasti i tij u refuzua, është përgjuar dhe në zërin e tij mund të lexohej paniku kur i është thënë se është i dyshuar për korrupsion. Sapo e kuptoi këtë, ai ftoi disa zyrtarë të lartë. Pas bisedës me shifra, aktakuza kundër tij u refuzua. Besoj se rrjedhja e informacioneve dhe lidhjet e afërta të zyrtarëve të lartë të EULEX-it dhe elitës politike në Kosovë e pengojnë luftën kundër korrupsionit atje”, tha pos tjerash Bamieh, transmeton lajmi.net.

Ajo paraqiti akuza të rënda edhe në adresë të Jonathan Ratel, zëvendës i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të EULEX-it, duke thënë se ai e ka penguar në çdo hap dhe e ka bllokuar çka do që ka dashur ajo të punojë për zbardhjen e korrupsionit.