Marchisio – Yaya Toure, lojtarët pa ekipe pas mbylljes së merkatos në Itali e Spanjë

Merkatoja në Serinë A dhe Premier League është mbyllur, por për klubet që ndjejnë ende mangësi në organikë, ka edhe një tjetër mundësi rikuperimi.

Sport

19/08/2018 09:37

Kjo pasi rregullorja të lejon, që pas mbylljes së sezonit të merkatos, të kesh mundësi të federosh vetëm lojtarë që janë pa skuadër dhe pa kontratë.

Gjithsesi ajo që vlen të theksohet, është se kjo verë ofron emra vërtetë interesantë në qarkullim, disa prej të cilëve me ekspereincë vërtetë të madhe dhe që mund të federohen me çdo skuadër, pavarësisht mbylljes së merkatos.

Një nga ata është Claudio Marchisio, mesfushor 32-vjeçar, që vetëm dje zgjidhi kontratën e tij me Juventusin dhe tashmë është i lirë të vendosë për të ardhmen e tij. Mesfushori italian ka një eksperiencë për t’u konsideruar, pasi ka fituar shumë tituj me bardhezinjtë dhe për më tepër, mosha e lejon të luajë edhe të paktën dy sezone si protagonist.

Lojtar i lirë është edhe Yaya Toure, që ka përfunduar kontratën e tij me Manchester Cityn, por që nuk ka ndërmend t’i japë fund me futbollin e luajtur. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë është 35 vjeç, por ka një fizik për t’u admiruar dhe do t’u bënte punë shumë skuadrave, por problem mbetet paga që ai pretendon, pasi askush nuk mund t’i ofrojë aq sa përfitonte te anglezët.

Emra të tjerë interesantë, që janë të lirë dhe presin ofertë për t’u rikthyer në fushën e lojës janë John Terry, Miguel Veloso, Antonio Cassano, Giuseppe Rossi, Samir Nasri dhe mbi të gjitha Ben Arfa.

Francezi është shkëputur tashmë nga Paris Saint Germain dhe në moshën 31-vjeçare, ka ende shumë për t’i dhënë futbollit, por vijimësia në paraqitje, ka penalizuar atë edhe në performancën me kryeqytetasit.