Marchetti para Berishës

Etrit Berisha e mbylli sezonin me Lazion në Serie A si titullar, por raportohet se atë të riun do ta nisë si rezervist. Klubi romak planifikon që ta rikthejë Federico Marchettin në portë, ndërsa ylli kosovar mund të huazohet tek ndonjë skuadër tjetër.

Sport

21/05/2014 22:50

Sezonin e fundit e mbylli si titullar, por atë të riun do ta nisë si rezervist.

Madje, lehtë mund të ndodh që të largohet nga klubi, duke u huazuar te ndonjë skuadër ku mund të gjejë hapësirë më të madhe për lojë.

E kuptuat, bëhet fjalë për portierin kosovar Etrit Berisha i cili menjëherë në edicionin e tij të parë si anëtar i Lazios ia zuri vendin të mirënjohurit Federico Marchetti.

Mirëpo, sipas njoftimeve të fundit nga mediet italiane, kërkesa e madhe e presidentit Claudio Lotito prej 10 milionë eurosh për Marchettin është duke e pamundësuar shitjen e tij gjatë afatit kalimtar të verës.

Dhe, kjo duket se do ta rikthejë atë në statusin e titullarit, lajm shumë i keq për Berishën për të cilin thuhet se mund të huazohet në ndonjë skuadër tjetër.

Mirëpo, reprezentuesi i Shqipërisë ende rrezikon të suspendohet pas akuzave se nënshkroi dy kontrata të vlefshme, së pari me Chievon e pastaj edhe me Lazion, kur u transferua në Olimpico në verën e vitit të kaluar nga Kalmar.