Maradona akuzon nipin: Më ka vjedhur paratë!

Diego Maradona sërish me akuza për një familjar të tij.

Sport

27/07/2018 15:10

Diego Armando Maradona e ka të vështirë të qëndrojë larg polemikave. El Pibe de Oro u bë protagonist në një lidhje direkte në një emision televiziv në Argjentinë, ku iu drejtua me ofendime nipit të tij, Walter Christian Machuca, që po fliste për martesën e mundshme të dajës së tij me të fejuarën prej 6 vitesh, Rocio Oliva.

“Po shoh sesi po e furnizon me gënjeshtra këtë program televiziv. As nëna e tij nuk mund ta shohë. Më ka shkatërruar disa automjete dhe më ka vjedhur paratë. Pse flet ai për mua, kur as nëna e tij s’do ta shohë me sy? Unë do të martohem kur të më dojë qejfi. Kur të martohem do t’i kërkoj dorën Rocios dhe jo juve, e aq më tepër nipit tim.”

Motivi i këtij reagimi të legjendës argjentinase ishte shpërndarja e lajmit të rremë sipas të cilit ai kishte vendosur të lidhte kurorë me të fejuarën e tij Rocio Oliva, që është rreth 30 vite më e re.