Prishtina i dërgon notë verbale Shkupit për të arrestuarit

(Plotësim) Ambasada e Kosovës në Shkup ka kërkuar ndihmën e organizatave ndërkombëtare për të hyrë në burgje, si dhe për të parë se si po trajtohen kosovarët e burgosur.

Lajme

19/05/2015 16:40

Pavarësisht gatishmërisë së qeverisë së Kosovës për bashkëpunim me Maqedoninë për zbardhjen e ngjarjes në Kumanovë, ku ishin të përfshirë qytetarë nga Kosova, duket se Shkupi zyrtar po refuzon ta bëjë një gjë të tillë.

Për këtë arsye, Ministria e Jashtme e Kosovës u ka dërguar të martën një notë verbale autoriteteve maqedonase, nga të cilët kanë kërkuar më shumë transparencë në identifikimin e qytetarëve të vrarë dhe atyre të arrestuar.

Në Ministrinë e Jashtme kanë treguar se, Ambasada e Kosovës në Shkup po ndihmon familjarët e qytetarëve të arrestuar që të vizitojnë të afërmit e tyre, për aq sa e ka të mundur ta bëjë këtë.

Për shkak të mos-lejimit të bashkëbisedimit të stafit të Ambasadës me të burgosurit, për të parë gjendjen e tyre dhe keqtrajtimet që po u bëhen, Ambasada e Kosovës në Shkup ka kërkuar ndihmën e organizatave ndërkombëtare për të hyrë në burgje, si dhe për të parë se si po trajtohen kosovarët e burgosur.

Për mos-lejimin e vizitave te familjarët e tyre, si dhe për mos-marrjen e informacioneve zyrtare për kosovarët e vrarë, të mërkurën në Prishtinë do të mbahet një protestë e organizuar nga familjarët e kosovarëve të arrestuar në Kumanovë, më 10 maj.

Përmes kësaj proteste, familjarët e kosovarëve të përfshirë në ngjarjet e Kumanovës kërkojnë nga qeveria e Kosovës, që të ndërmarrë veprime konkrete dhe t’u dalë në ndihmë shtetasve kosovarë, që po keqtrajtohen nga autoritetet maqedonase. (INA)

———————————————-

Identifikimi i kosovarëve të raportuar si të vrarë nga mediat, dhe të arrestuarve në përleshjen e armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë është duke u zvarritur nga pala maqedonase.

Ndonëse u tha se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe Ambasada e Maqedonisë në Kosovë, kishin filluar bisedimet për identifikimin e kosovarëve të dyshuar si të vrarë dhe atyre të arrestuar në Kumanovë, autoritetet maqedonase po veprojnë krejt ndryshe.

Sipas burimeve të lajmi.net autoritet kosovare edhe pse kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në këtë drejtim, rrjedha e identifikimit të kosovarëve të supozuar si të vrarë ka mbetur në vullnetin e shtetit të Maqedonisë.

Ky burim i afërt me procesin ka thënë për lajmi.net, se autoritet e Maqedonisë, deri më tani nuk informuar zyrtarisht nëse ne mesin e të vrarëve ka edhe qytetarë të Kosovës.

“Deri më tani zyrtarisht nga autoritet e Maqedonisë ne nuk kemi marrë konfirmim zyrtarë për të vrarë në konflikt e që janë qytetarë të Kosovës”, ka thënë burimi.

Megjithatë, një burim tjetër, ka thënë për lajmi.net, se Ambasada e Kosovës në Shkup, është duke punuar intensivisht që të bëhet i mundur identifikimi dhe më pas edhe tërheqja e trupave të kosovarëve të vrarë në Kumanovë.

Sipas këtij burimi, ka shpresë që deri ditën e premte, të realizohet sjellja e këtyre trupave në kufi, nga ku ata do të merren prej Mjekësisë Ligjore të Kosovës.

Sa i përkeq rastit të Kumanovës, shteti i Maqedonisë nuk është treguar bashkëpunues e as serioz edhe sa i përket identifikimit të personave të arrestuar e që janë nga Kosova.

Nga tri lista të dërguara institucioneve të Kosovës, me emrat e kosovarëve të arrestuar, asnjëra nga to nuk ka qenë e njëjtë.

“Deri më tani ne kemi pranuar 3 lista me emra të personave të arrestuar. Secila listë ka qenë me emra të ndryshëm”, ka thënë ky burim.

Sipas këtij burimi, kjo sjellje e zyrtarëve të Maqedonisë, ka irrituar palën kosovare e cila të martën i ka dërguar notë verbale shtetit fqinj. (lajmi.net)