Maqedonia nuk merret me refugjatët në Kosovë

Në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi të Komunës së Vitisë është bërë e ditur se nëntë familje nga fshatrat e Maqedonisë janë zhvendosur në vendbanimet e kësaj komune, pas incidenteve në Goshincë dhe Kumanovë.

Lajme

13/05/2015 19:06

Kryetari i Vitisë Sokol Haliti tha se në këtë komunë është themeluar këshilli për përkujdesjen ndaj këtyre familjeve, ndërsa tregoi se nëntë familjet e zhvendosura kanë 50 anëtarë.

“Dy ditëve të fundit kemi vizituar familjet e zhvendosura nga Maqedonia që aktualisht po qëndrojnë në disa fshatra të komunës sonë dhe nga ajo që kam parë nga afër situata nuk është e lakmueshme për shkak të kushteve jo të mira të strehimit,” tha kryetari Haliti.

Ai tha se komuna është e gatshme t’u ndihmojë të larguarve nga shtëpitë e tyre.

“Ne jemi të gatshëm për çdo situatë që të bëjmë sistemimin dhe strehimin e këtyre familjeve. Po ashtu po shqyrtojmë mundësitë për t’i ndihmuar me gjëra të nevojshme”, ka theksuar Haliti.

Po ashtu edhe komandanti i stacionit policor në Viti, kapiteni Agim Lipovica, ka bërë të ditur se janë duke përcjellë me kujdes zhvillimet dhe ardhjen e familjeve nga Maqedonia. Ai po ashtu tha se Policia Kufitare është duke patrulluar në zonën kufitare me Maqedoninë dhe aktualisht situata është e qetë.

Këshilli Komunal Emergjent për Përkujdesjen ndaj Familjeve të Zhvendosura ka siguruar ndihma ushqimore për këto familje, e po ashtu edhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të Vitisë, Xhemajl Arapi i shoqëruar nga një ekip mjekësor ka vizituar katër familje, me rreth tridhjetë anëtarë duke u ofruar shërbime mjekësore, por edhe barna nga lista esenciale.

Sipas mjekëve të këtij ekipi gjendja shëndetësore e këtyre personave është e mirë, me përjashtim të një fëmije të sëmurë me meningjit dhe një gruaje shtatzënë për të cilët është ofruar përkujdesja e vazhdueshme mjekësore.