Maqedonia harron shqipen (Foto)

Institucionet shtetërore në Maqedoni nuk e njohin gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare.

Lajme

14/04/2015 21:45

Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Ministria e Shëndetësisë, Ministria për Shoqëri Informative e shumë institucione tjera qeveritare nuk e kanë gjuhën shqipe si opsion të faqeve të tyre zyrtare, ku gjithçka shkruhet vetëm në maqedonisht, ose në anglisht.

Të pyetur nga gazetarët, ministrat janë arsyetuar se nuk kanë kapacitete njerëzore për përkthimin në kohë të dokumenteve apo edhe faqeve online. Disa, madje, kanë arritur deri aty sa kanë thënë se ligji nuk i detyron ata që të përdorin edhe gjuhën shqipe, raporton portali “Vatra”.

Partia shqiptare në pushtet, BDI, edhe pse si qëllim kryesor e kishte zyrtarizimin e shqipes, edhe pas rreth 14 vjetësh në skenën politike, nuk e ka mbajtur premtimin e dhënë. Megjithatë, ajo bën fushatë dhe kërkon vota për zyrtarizimin e saj.

makedon

Shqipja zyrtare në Maqedoni përdoret vetëm nëpër institucionet e pushtetit lokal, në komunat e udhëhequra nga shqiptarët. Gjuha shqipe nuk respektohet as në Radio Televizionin e Maqedonisë, institucion që mbahet nga paratë e mbledhura edhe nga taksapaguesit shqiptarë.

Në kanalin e tretë të këtij Televizioni, ku transmetohen mbledhjet dhe seancat e Kuvendit të Maqedonisë, ku edhe pse deputetët shqiptarë flasin në gjuhën shqipe, shikuesit nuk e dëgjojnë atë pasi ajo transmetohet me përkthim simultan në gjuhën maqedonase. (Portali Vatra)