Maqedonia do të ftohet për t’u anëtarësuar në NATO

Ftesa për anëtarësim në NATO për Maqedoninë vjen pas zgjidhjes së konfliktit për emrin me Greqinë. Por NATO druhet për aktivizim të Moskës para referendumit në Maqedoni.

Lajme

11/07/2018 13:42

Me gjithë konfliktin për shpenzimet e mbrojtjes, shefat e shteteve dhe të qeverive të NATO-s do të ftojnë në takimin e tyre të nivelit të lartë Maqedoninë, për t’u anëtarësuar në NATO. Kjo bëhet e mundur nga kompromisi i arritur në qershor, për grindjen prej dekadash me fqinjin Greqi për emrin e Maqedonisë. Në këtë mënyrë ky vend ballkanik me emrin e ardhshëm “Republika e Maqedonisë së Veriut” mund të bëhet për një ose dy vjet anëtari i 30-të e NATO-s.

Por para kësaj duhet të formalizohet dakordimi me Greqinë. Parlamenti i Shkupit tashmë ka votuar në mbështetje të propozimit. Por ende nuk është mbajtur referendumi për ndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë. Ai pritet të zhvillohet në shtator ose në tetor. Vetëm pas kësaj do të japë përfundimisht dritë të gjelbër edhe parlamenti i Greqisë.

Për shkak të mosmarrëveshjes për emrin, Greqia pati bllokuar jo vetëm anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, por edhe në Bashkimin Evropian. Frika e Greqisë ishte se fqinji me emrin e vendit Maqedoni mund të ngrinte pretendime për provincën me të njëjtin emër të Greqisë. Për këtë shkak Maqedonia u bë në vitin 1993 anëtare e OKB-së vetëm nën emrin e përkohshëm Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (shkurt në anglisht FYROM).

A do të mobilizojë Moska kundërshtarët e ndryshimit të emrit të Maqedonisë?

Në NATO janë anëtarësuar që prej fundit të Luftës së Ftohtë 13 shtete. Shumica e këtyre shteteve kanë qenë më parë në sferën e ndikimit të ish-Bashkimit Sovjetik. Pas rënies së Perdes së Hekurt Moska kërkoi të bashkëpunonte me NATO-n, por zgjerimi në lindje i Aleancës i rëndoi shumë raportet dypalëshe.

Vendi i fundit që u anëtarësua në NATO ishte në qershor 2017 Mali i Zi. Pas ftesës zyrtare për anëtarësim Moska kërcënoi me “kundërmasa”. Prokuroria e Malit të Zi konstatoi më pas se “organet shtetërore ruse” qendronin pas një përpjekjeje për përmbysje në Malin e Zi në tetor 2016. Në NATO tani druhen seriozisht se para referendumit Moska mund të bëjë përpjekje që të mbështesë në Maqedoni kundërshtarë të zgjidhjes së çështjes së emrit.

Para Malit të Zi, më 2009 anëtarë të NATO-s u bënë Shqipëria dhe Maqedonia. Në vitin 2004 NATO-ja pranoi së bashku si anëtarë të saj Bullgarinë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Slloveninë. Çekia, Polonia dhe Hungaria qenë shtetet e para nga ish-blloku lindor që u anëtarësuan më 1999 në NATO./DW