Maqedonia arreston ish-shefin e policisë sekrete për sulmin në Kuvend

Policia maqedonase të martën arrestoi ish-shefin e policisë sekrete Vladimir Atanasovski, pasi ai u përmend në gjykatë si një organizator i dyshuar i sulmit në parlament në vitin 2017.

Lajme

05/12/2018 13:52

Ish-shefi i policisë sekrete maqedonase Vladimir Atanasovski u arrestua të martën dhe u la në paraburgim për 30 ditë me kërkesë të Prokurorisë Shtetërore, e cila tha se ekziston rreziku që ai të mund të largohej nga vendi pasi emri i tij të përmendet në një gjyq për sulmin në parlament në vitin 2017.

Arrestimi i Atanasovskit mund të shënojë një kthesë në gjyqin dhe hetimin në vazhdim, pasi prokuroria për herë të parë identifikoi një organizator të mundshëm të të gjithë ngjarjes.

Të hënën, dy vëllezër, Stefan dhe Mihail Mladenovski – të dy të pandehur në gjyqin e pjesëmarrësve në mësymjen e vitit të kaluar të ndërtesës së parlamentit – përmendën Atanaskovskin si një nga organizatorët.

Sulmi në prill 2017 ndodhi në një kohë tensionesh të larta politike, pasi ish-partia qeverisëse VMRO DPMNE u përpoq me dëshpërim të mos lejonte Bashkimin Social Demokrat të opozitës, SDSM, të formonte një qeveri, raporton kallxo.com.

Mbështetësit e VMRO DPMNE sulmuan ndërtesën vetëm disa minuta pasi shumica e re kishte zgjedhur Talat Xhaferin si kryetar të ri të parlamentit, duke hapur rrugën për zgjedhjen e qeverisë së re të udhëhequr nga SDSM. Qeveria e re mori përfundimisht detyrën në maj nën udhëheqjen e liderit të SDSM Zoran Zaev.

Turma plagosi rreth 100 vetë, duke përfshirë dhjetë deputetë. Zaev, tani kryeministër, ishte midis deputetëve që u plagosën.

Në muajin mars, Prokuroria Shtetërore ngriti akuza për “rrezikimin terrorist të rendit dhe sigurisë kushtetuese” kundër 28 personave, përfshirë deputetë të VMRO DPMNE dhe ish-zyrtarë të policisë.

Ish-kryeministri dhe ish-lideri i VMRO DPMNE Nikola Gruevski, i cili muajin e kaluar u arratis nga vendi për të shmangur vuajtjen e dënimit me burg në një rast tjetër – mohoi të ketë qenë organizatori i sulmit të dhunshëm.

Atanasovski kryesoi policinë sekrete nga viti 2016 deri në qershor 2017, pasi paraardhësi i tij më famëkeq, Saso Mijalkov, dha dorëheqjen.

Ai u bë i njohur si një nga zyrtarët më të lartë të policisë, i cili në vjeshtën e vitit 2016 refuzoi të lejonte prokuroren speciale Katica Janaeva të hynte në selinë e policisë sekrete dhe të kontrollonte, pavarësisht se kishte një urdhër gjykate.