Maqedoni, shpërfillje e shqiptarëve edhe në fushën e diplomacisë

Emërimi i shqiptarëve nëpër përfaqësitë diplomatike-konsullore të Maqedonisë në botë vazhdon të shpërfillet, kurse fajtor kryesor pë këtë mbetet presidenti Gjorge Ivanov.

Lajme

12/04/2015 18:20

Postet e ambasadorëve mbeten vakante prej mbi dy vjetësh në Varshavë, Sarajevë, Bernë; rreth 1 viti në Doha, ndërkohë që Ambasada e Maqedonisë në Gjenevë pothuajse 4 vjet është pa ambasador.

Edhe pse këto ambasada i takojnë partisë shqiptare në koalicionin qeverisës, BDI-së, Ministria e Jashtme tashmë ka dërguar kuadro maqedonase si ushtrues detyre të ambasadorëve në Doha dhe Varshavë. Ambasadorët që ka caktuar BDI-ja akoma mbeten peng i mosfirmosjes nga ana e kreut të shtetit, për shkak të kontestimit të legjitimitetit të tij nga partia shqiptare në pushtet.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme ka shpallur një konkurs të brendshëm për 20 vende të reja përfaqësuesish diplomatik dhe konsullor të Maqedonisë nëpër botë. Televizioni  Alsat ka mësuar se në këtë konkurs kanë konkurruar 31 shqiptarë, megjithatë mbetet të shihet se sa nga to do të përzgjidhen. Në konkursin e fundit të këtij dikasteri, nga 17 diplomatët e emëruar nëpër përfaqësi konsullore dhe diplomatike të Maqedonisë, vetëm dy ishin shqiptarë. Nga ana tjetër, aktualisht në rreth 60 përfaqësi diplomatike e konsullore të Maqedonisë ka vetëm tre ambasadorë dhe vetëm një konsull shqiptar.

Kohë më parë, kreu i Komisionit të politikës së jashtme, Antonio Milloshoski, i pyetur nga BDI-ja për ngecjet, kishte këshilluar partinë e Ali Ahmetit që përgjigjen ta kërkojë te kryetari i shtetit , Gjorge Ivanov, duke aluduar kështu në mosnjohjen e presidenti nga ana e BDI-së.