Maqedoni, Ivanov nuk dekreton ligjin për gjuhën shqipe

Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov përdori veton për të mos dekretuar ligjin për gjuhët, që zyrtarizon gjuhën shqipe, duke e cilësuar atë antikushtetues.

Lajme

17/01/2018 19:23

Në një konferencë për shtyp, ku konfirmoi qëndrimin e tij, Ivanov tha se duke marrë parasysh vlerësimin e ekspertëve për antikushtetutshmërinë e këtij ligji, vendosi që të mos e firmosë atë.

Presidenti maqedonas tha se, përmes një letre ka informuar edhe Kuvendin për vendimin, duke u kërkuar deputetëve që të shqyrtojnë sugjerimet e tij dhe të veprojnë më pas me përgjegjësi.

“Më 11 janar të vitit 2018, Kuvendi i Maqedonisë e votoi ligjin për përdorimin e gjuhëve pa debat publik, pa përfshirjen e ekspertëve akademikë dhe pa opozitën. Në fjalimin e fundvitit theksova se ky ligj është sjellë me flamur europian. Me miratimin e këtij ligji është keqpërdorur flamuri europian, i cili i ndryshon sistemet ligjore”, deklaroi Ivanov.

Sipas tij, ligji rrezikon karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integriten territorial të Maqedonisë, por rrezikon edhe bllokimin e tërësishëm të organeve shtetërore.

Presidenti maqedonas tha se, për miratimin e një ligji të tillë duhet shumicë absolute. Tashmë ligji për shqipen kthehet sërish në Parlament, ku nëse miratohet sërish do të hyjë në fuqi menjëherë, pa nevojën e dekretimit presidencial.