Maqedoni, ish-zv/ministri i brendshëm dënohet me 9 vite burg
Një gjykatë në Shkup e dënoi me nëntë vjet ish-zëvendës ministrin e punëve të brendshme, Gjoko Popovski për shkak të furnizimeve jo të ligjshme me automjete të policisë.
Lajme
Veç dënimit, ai detyrohet që brenda një afati prej 15 ditësh të kthejë shumën prej 450 mijë eurosh.
Prokurorja Fatime Fetai i kërkoi gjykatës që i dënuari Gjoko Popovski të mbahet në paraburgim deri sa vendimi të hyjë në fuqi, për shkak të mundësisë së arratisjes, sepse ai akuzohet edhe për një vepër tjetër penale.
Avokati i z. Popovski u tha gazetarëve se do ta apelojë vendimin e gjykatës themelore. Ai tha se “të gjithë u befasuan me këtë vendim të gjykatës për një vepër që ka ndodhur para dhjetë vjetësh”.
Rasti i njohur në publik si “Treqind” u zbulua pas publikimit të skandalit të bisedave të përgjuara telefonike nga kryetari i Lidhjes Social Demokratike, tash kryeministër Zoran Zaev, ndërsa ai vetë dhe media i quanin “bomba” audio incizimet e tashmë ish-zyrtarëve të lartë qeveritarë, të cilët dëgjoheshin duke bërë plane për manipulime të ndryshme në më shumë fusha. Një sërë procesesh gjyqësore po mbahen si rezultat i këtyre “bombave”, kundër ish-zyrtarëve të lartë qeveritarë, përfshirë edhe vetë ish-kryeministrin Nikolla Gruesvki.