Maqedoni, debati rreth marrëveshjes për emrin përcillet me protestë

Kuvendi i Maqedonisë ka nisur procedurën për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë për kontestin shumëvjeçar të emrit.

Lajme

19/06/2018 12:38

Procedura deri në ratifikimin e dokumentit të arritur të dielën në pjesën e Greqisë, duhet të kalojë në dy fazë. Së pari, nevoja për ratifikimin e marrëveshjes e cila më pas kalon në komisionin për çështje evropiane, për t’u rikthyer sërish në procedurë parlamentare për miratim, më shumicë të thjeshtë të votave.

Marrëveshja më pas i dërgohet për dekretim presidentit, Gjorgje Ivanov, por ai tashmë disa herë ka bërë të ditur se nuk do të vë firmën në një “marrëveshje anti-kushtetutese që dëmton rëndë interesat kombëtare dhe shtetërore”.

Në rast të refuzimit, marrëveshja sërish kthehet për ratifikim në Kuvend dhe prapë i dërgohet për dekretim presidentit, i cili në bazë të Kushtetutës është i obliguar ta dekretojë, në të kundërtën bën shkelje ligjore.

Dragan Danev nga VMRO-DPMNE-ja opozitare tha se marrëveshja paraqet “kapitullim” për vendin, mohon identitetin, gjuhën dhe gjithçka që ka të bëjë me kulturën dhe indin maqedon.

Por, debati parlamentar po përcillet edhe me protesta të cilat po zgjasin tani pesë ditë.