MAPL nuk ia pranon Ramadan Mujës vetëpezulimin

Pezullimi i postit të Kryetarit të Komunës së Prizrenit nga Ramadan Muja, nuk është i paraparë me ligj, sipas MAPL’së. Kjo Ministri paralajmëron Mujën se mandati i tij do të përfundojë, nëse ai pa arsye nuk paraqitet në punë brenda 30 ditëve.

Lajme

25/03/2014 15:57

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) i ka thënë Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, se vendimi i tij për ta pezulluar postin nuk është i paraparë me Ligjin e Vetëqeverisjes Lokale.

Në përgjigjen që MAPL ia ka kthyer Komunës së Prizrenit, Mujës i kërkohet që “t’i ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë deri në vendimin e formës së prerë të Gjykatës”.

Në të kundërtën, nëse Muja nuk paraqitet në punë për 30 ditë, pa ndonjë arsye, MAPL e paralajmëron atë se do t’i përfundojë mandati.

“Pezullimi i aktiviteteve të Kryetarit të Komunës së Prizrenit nuk është paraparë me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe i njëjti nuk prodhon efekt juridik”.

“Deri në vendimin e formës së prerë të Gjykatës kompetente, Kryetari i Komunës së Prizrenit ushtron kompetencat dhe përgjegjësitë, ashtu siç është paraparë me nenin 58 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjet tjera sektoriale”.

Përgjigja e Ministrit të MAPL’së, Slobodan Petrovic, për pezullimin e pozitës së Ramadan Mujës

 

“Në rast se Kryetari i Komunës së Prizrenit nuk paraqityet në punë më shumë se 1 muaj pa arsye, atëherë përfundon mandatin e kryetarit të Komunës, ashtu siç është përcaktuar në nenin 56.3 pika (e) të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale”, thuhet në përgjigjen që MAPL ia ka kthyer Nënkryetarit të Komunës së Prizrenit, Lulzim Kabashit.

MAPL, përmes kësaj letre, ka kërkuar nga Kryetari i Komunës së Prizrenit që të ndërmarrë veprime ligjore për “zbatimin e obligimeve që dalin nga legjislacioni për vetëqeverisje lokale”.