MAPL kërkon që Rakiq të heq barrikadën

Komuna e Mitrovicës Veriore do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme të premten, e kjo gjë ka ardhur si pasojë e shkresës së dërguar nga MAPL, drejtuar kryetarit të kësaj komune, Goran Rakiq. 

Lajme

26/06/2014 20:24

Në shkresën e dërguar është sqaruar se me vendimin e tij që të ndërtojë barrikadën e re të quajtur “Parku i Paqes”, Rakiq ka shkelur Kushtetutën, Marrëveshjen e Brukselit dhe pesë ligje të Kosovës.

“Duke marrë parasysh shkeljet e konstatuara më lartë, kërkojmë nga kryetari i Mitrovicës Veriore të ndërmarrë masa të menjëhershme për zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet për heqjen e barrikadave në urën e lumit Ibër, për të krijuar kushte të përshtatshme për shfrytëzimin e rrugëve publike pa cenuar dhe kufizuar lirinë e lëvizjes të garantuara me Kushtetutë”, thuhet në shkresën e Ministrit Sllobodan Petroviq, të siguruar nga KTV.

Ndërkaq, këshilltari komunal në këtë Komunë, Emir Azemi thotë se në seancën e së premtes, ata do të kërkojnë nga Goran Rakiq sqarime shtesë për vendimin e tij, për ndërtimin e kësaj barrikade.

“Çdo pengesë që është në kundërshtim me ligjin në fuqi në Kosovë nga çdo individ apo zyrtarë që merret ose që është marrë, duhet të largohen dhe duhet të parandalohet që situata të merr kahje tjetër. Qëndrimet tona janë të buta, janë mesazhe të paqes që nënkupton liri të lëvizjes dhe barrikadës. Këtë gjë e thotë edhe ligji dhe do ta themi edhe ne”.

“Unë mendoj që vendimi i tij ka qenë tejet i ngutshëm, një vendim provokues, të them kushtimisht radikal ose emocional. Po, unë besoj që kryetari pas asaj euforie ka zbrit në tokë dhe ai gradualisht do të sheh që vendimi i tij nuk ka qenë i drejtë, ka qenë një provokim dhe njëkohësisht është bllokadë edhe për vet ne, pasi që ne kalojmë këndej”, tha Azemi.