MAPL i jep të drejt opozitës për shkarkimin e aksionarit të Shpend Ahmetit nga NPB-ja /Dokument

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka shkarkuar para pak javësh anëtarin e Partisë Socialdemokrate, Qëndrim Sahitin nga posti i aksionarit të Ndërmarrjes Publike Banesore. Vendimi u kontestua nga pozita komunale, por Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka thënë se votimi ishte ligjor.

Lajme

06/07/2018 15:55

Sahiti nga PSD, aksionar në Ndërmarrjen Publike Banesore, ishte shkarkuar në mbledhjen e Kuvendit Komunal në një iniciativë të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje. Votimit i ishin bashkuar LDK dhe PDK, shkruan lajmi.net.

Procedura e shkarkimit të tij  ishte dërguar nga kryetari Shpend Ahmeti për shqyrtim të ligjshmërisë në Ministrinë e Pushtetit Lokal, pasi që një shembull i këtillë, siç kishte ndodhur nuk ishte par parë deri më tani në KK të Prishtinës, sipas Partisë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit.

Kjo për shkak se është votuar gati 40 minuta pasi që është bërë propozimi për votim për shkarkimin e tij, pasi që anëtarët e partive të koalicionit qeverisës në Prishtinë lëshuan mbledhjen, dhe në sallë është pritur që të vinte një anëtare e LDK-së për ta krijuar kuorumin në mbledhje.

Lajmi.net e posedon vendimin final të MAPL-së dërguar kryetarit Shpend Ahmeti dhe kryesuesit të Kuvendit, Agim Kuleta.

“Ministria e Pushtetit Lokal, pas shqyrtimit të përmbajtjes së akteve të komunës, vlerëson se aktet e komunës, janë në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi dhe si të tilla mund të prodhojnë efekte juridike”, thuhet në vendimin e MAPL-së që për lëndë kishte konfirmimin e ligjshmërisë së akteve të Komunës së Prishtinës. Konkretisht, kishte për shqyrtim Vendimin nr 01 -030 /01 -0136230 për shkarkimin e Qëndrim Sahitit, anëtar i Komisionit të aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore dhe Vendimin për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës në shfrytëzim afatgjatë Policisë së Kosovës, të miratuara më datë 31 Maj 2018.

Ndërsa në gjatë asaj mbledheje, asamblistët e Partisë Socialdemokrate bashkë me partnerët tjerë të koalicionit, pa Vetëvendosjen, kishin lëshuar sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në momentin kur pritej të votohej propozimi për shkarkimin e asamblistit Qëndrim Sahiti nga pozita e aksionarit në Ndërmarrjen Publike Banesore.

Propozimin për shkarkim e kishte bërë asamblisti i VV-së, Egzon Ademi, me arsyetimin se MZHE ka vërtetuar shkeljet në emërimin e bordit të përkohshëm të NPB-së.

Pas këtij shkarkimi kishte reaguar Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Thoshte se është habitur nga bashkimi i ish-partisë së tij, Vetëvendosje me LDK-në e PDK-në në kryeqytet për të shkarkuar Qëndrim Sahiti si aksionar të Ndërmarrjes Publike Banesore.

“Nuk kam menduar asnjëherë që VV do të bëhet bashkë me LDK e PDK në Prishtinë për të shkarkuar një aksionarë dhe pastaj në mënyrë jubilante të fotografohen me ata që deri dje thoshin se e shkatërruan qytetin. Përkundër dallimeve, për neve është e qartë kush ka bërë dëm në qytet e kush e ka luftuar krimin. Po ashtu është e qartë se kush duhet të bart përgjegjësi për keqqeverisjen në shtetin tonë”, ka thënë Ahmeti. /Lajmi.net/