MAPL i jep dritën e gjelbër “demarkacionit” të Fushë Kosovës dhe Graçanicës, pengesë ndryshimi i Ligjit për Kufijtë Administrativ

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e ka vlerësuar të ligjshme kërkesën e komunës së Fushë Kosovës dhe Graçanicës për “demarkacionin” e tyre.

Lajme

16/11/2018 11:17

Komuna e Graçanicës dhe ajo e Fushë Kosovës, në kuvendet e tyre komunale kanë marrë vendim për rregullimin e vijave kadastrale në të cilën do të përfshiheshin dy fshatra, raporton lajmi.net.

Në bazë të kërkesës fshati Preoc dhe Uglar të cilët deri më tani kanë qenë nën administrimin e Graçanicës duhet t’i takojnë komunës së Fushë Kosovës.

Në lidhje me këtë kërkesë të të dyja kuvendeve komunale, MAPL ka bërë vlerësimin dhe e ka cilësuar si kërkesë të ligjshme.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zyra e komunikimit të Ministria e Adiministratës dhe Pushtetit Lokal.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka pranuar vendimet e miratuara në kuvendet e komunave Graçanicë dhe Fushë Kosovë lidhur më rregullimin  e ndërsjellët të vijave kadastrale në mes të Komunës së Graçanicës dhe Fushë Kosovës në ZK Preoc dhe ZK Uglar. Pas pranimit të këtyre akteve konform mandatit ligjor MAPL ka bërë vlerësimin e tyre në aspektin procedural të cilat i  ka vlerësuar të ligjshme”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

Për këtë vlerësim është njoftuar edhe Komuna e Fushë Kosovës.

Zëdhënësi i komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli, e ka konfirmuar këtë për lajmi.net.

“MAPL-ja i ka marrë si të ligjshme vendimet e kuvendit e tani vazhdohen procedurat tjera”, ka deklaruar shkurt Topalli.

Procedurat tjera në këtë drejtim janë ndryshimi i Ligjit për kufijtë administrativ të komunave.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net edhe MAPL-ja, por edhe anëtarja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Xhevaire Izmaku.

“Vendimi përfundimtar për ndryshimin, rregullimin  e ndërsjellët të vijave kadastrale në mes të Komunës së Graçanicës dhe  Fushë Kosovës në ZK Preoc dhe ZK Uglar bëhet me plotësim ndryshimin e Ligjit Nr 03/L -041  për Kufijtë Administrativ të Komunave”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

Anëtarja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Xhevaire Izmaku, ka thënë për lajmi.net, se një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa e ndryshuar Qeveria e Kosovës, ligjin për kufijtë administrativ.

“Kuvendi komunal i Graçanicës ka kërkuar nga komuna e Fushe Kosovës kalimin e disa parcelave nga territori i saj në territorin e Komunës së Fushë Kosovës. Fatkeqësisht këtë kërkesë e ka aprovuar edhe Kuvendi i Komunës së Fushë Kosovës!. Nuk kam informatë të saktë nëse e ka aprovuar Qeveria këtë vendim, por besoj që nuk do ta bëj për arsye që duhet të ndryshohet ligji për kufijtë administrativ”, ka deklaruar Izmaku, e cila shprehu dyshimin e saj në lidhje me kërkesën e Komunës së Graçanicës.

“Normalisht këto ndryshime nuk është dashur të aprovohen nga komuna e Fushë Kosovës sepse qëllimi dyshoj të jetë politik me qëllimin që të gjitha pronat e banuara me shqiptarë t’i kalojnë në Fushë Kosovë në mënyrë që Graçanicën ta mbajnë etnikisht të pastër”, është shprehur Izmaku.

Sipas saj, edhe nëse Qeveria e Kosovës e aprovon ndryshimin e ligjit për kufijtë administrativ, në Kuvend “demarkacioni” mes këtyre dy komunave vështirë se do të mund të kalojë.

“Krejt në fund pa ardhur në Kuvend kjo s’mund të kalojë dhe deputetët nuk do votojnë këtë çështje”, deklaroi Izmaku për lajmi.net, duke theksuar se e gjithë kjo është nisur me qëllim të afrimit me shërbimet për banorët që kanë mbetur peng për çështje pronësie.

Në lidhje me ndryshimin për ligjin e kufijve administrativ, lajmi.net ka kërkuar sqarime edhe nga Qeveria e Kosovës se kur do të bëhet një ndryshim i tillë.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka thënë për lajmi.net se MAPL nuk i ka dërguar asnjë kërkesë për këto komuna.

“MAPL nuk ka sjell ende kërkesë të tillë për fshatrat në fjalë”, ka deklaruat Gashi për lajmi.net.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje në lidhje me pyetjen se kur do të bëhet ndryshimi i Ligjit për kufijtë administrativ.

Kujtojmë, se me këtë “demarkacion”, Graçanica humb 108 hektarë tokë pasi që ia fali Komunës së Fushë Kosovës me këtë proces. /Lajmi.net/