Mandzukic, i lumtur që e zgjodhi Atleticon

Mario Mandzukic ndihet i lumtur që e zgjodhi Atletico Madridin. Sulmuesi kroat premton se do ta japë maksimumin për Los Colchoneros.

Sport

10/07/2014 19:20

Pasi e zyrtarizoi transferimin në Atletico Madrid, Mario Mandzukic ka folur për herë të parë si Los Colchoneros.

Sulmuesi kroat, i cili u largua nga Bayern Munichu pas arritjes së Robert Lewandowskit në Allianz Arena, premton se do ta japë maksimumin për ekipin e ri.

“Ndihem mirë dhe jam mjaft i lumtur për këtë zgjedhje, shpresoj të nis menjëherë të ushtroj. Bayerni është një klub i madh, por tash vi në një institucion siç është Atletico Madrid”, deklaroi Mandzukic.

“Të dyja klubet synojnë të jenë të suksesshëm në Evropë. Jam i lumtur që kam arritur në Atletico Madrid dhe shpresoj të mund ta ndihmoj skuadrën me lojën time”, vazhdoi ai.

“Mund të llogarisim në një trajner të madh dhe besoj se stili im i lojës mund të përshtatet mirë në mekanizmat e lojës së Atleticos. E zgjodha këtë klub sepse më pëlqen se si luan. Është një skuadër që jep gjithçka në fushë dhe e ka një mentalitet ofanzivë”.

“Krijon shumë raste dhe shënon mjaft gola, kjo më pëlqen. E di se tifozeria e Atleticos është spektakolar dhe mjaft pasiononte. Është pjesë e skuadrës dhe jam i sigurt se do të jemi në harmoni”, përfundoi ai.