Mandela dhe Ne

Nuk kemi kohë të merremi me lirinë dhe me shtetin, sepse nuk jemi çliruar ende prej burgu shekullor ku kemi qenë.

Opinion

11/12/2013 06:00

Vdekja është e pashmangshme. Kur dikush ka përmbushur si duhet detyrën e tij ndaj popullit dhe shtetit të tij, ai mund të pushojë në paqe.

Nelson Mandela, autori i këtyre rreshtave dhe kryelajmi botëror i ditëve të shkuara, gjithsesi do të pushojë në paqe.

E gjithë Bota e lume, si thuhet, po përulet në respekt për të.

Kështu po ndodh edhe ndër ne, në Kosovë, megjithëse, çfarë jemi bërë ne në këtë rrëmujën e quajtur politika kosovare, gjetëm arsye që edhe në këtë rast ta ulim këmbë e kryq liderin e Afrikës së Jugut në shesh-konfrontimet vendore, dhe ta bëjmë atë gjykatës suprem në kontestet e pafundme politike.

Nuk e lamë rehat as për së vdekuri.

Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, këto ditë deklaroi që Mali i Zi njihet në Evropë, e tha këtë gjithsesi me një ironi të butë, si shteti që ka prodhuar më së shumti histori për metër katror.

Siç po del këndejpari, ndër ne, duket që do të bëhemi kampion të Evropës në prodhimin e marrëzive politike për kokë banori.

Nëse sërish i kthehemi Mandelës, duket që ndër ne po harrohet pse në fakt Mandela u bë politikan aq i madh, aq i njohur dhe aq i respektuar në Afrikë dhe në gjithë Botën.

Në aftësinë tonë të mrekullueshme për thjeshtësimin e dukurive, e baraspeshojmë, me të parën, këtë status ndërkombëtar të Mandelës me burgun 27 vjeçar, sepse kërkoi të drejtat për popullin e vet në një regjim që i tëri ndërtohej mbi urrejtjen rrënuese.

Fatkeqësisht, të këtij soji si Mandela, ka pasur shumë në Botë – kur flitet për dënimet disadhjetavjeçare me heqjen lirie, sepse të këtillët kanë luftuar për heqjen e prangave për popullin e vet.

Edhe në Kosovë dhe në Shqipëri kemi pasur kësi të burgosur.

Por, Mandela është i rrallë, tepër i rrallë, sepse në ditën kur u lirua, një herë e mendoi këtë, dhe pastaj e shkroi, që nëse nuk do të çlirohet prej urrejtjes dhe mllefit, teksa do t’i bëjë hapat e parë jashtë burgut, ai kurrë nuk do të dalë brej burgut.

Burgu pra do të ishte në atë rast mendimi dhe politika e tij, e përditshmja e tij, programi qeverisës, botëkuptimi i tij. Jeta e tij.

Ai e kuptoi fare mirë këtë.

Kur në një rast tjetër e pyetën se a i urren ata që e kanë mbajtur 27 vjet në burg, Mandela u përgjigj: Nuk kam kohë për urrejtje. Më duhet të punoj.

Me një botëkuptim dhe qasje të këtillë politike, Mandela arriti të bëjë atë që mbase askush nuk do ta bënte në Afrikën e Jugut, shtetin që ishte sinonim i përbuzjes, urrejtjes, konflikteve më të egra politike. Luftën deri në shfarosje në baza raciale dhe rajonale, ai e zmbrapsi përmes shembullit të vet personal, duke thënë troç që historia nuk ka çfarë të përzihet në politikë, që krimi duhet të ndëshkohet me drejtësi  (gjyqe) e jo me hakmarrje në qeverisje, që pajtimi është e vërteta supreme për një vend i cili ka grumbulluar aq shumë tragjedi për metër katrorë, më shumë se shumë shtete të tjera anekënd Botës.

Mandela pra e bëri realitet politik çlirimin nga historia, sepse e ka ditur fare mirë që as ai dhe as një popull i tërë nuk mund përjetë e mot të mbetet peng i të kaluarës, nëse do të merret me të tashmen dhe të ardhmen e tij.

Thjesht, siç do të thoshte ai, nëse këtu parafrazohet, një popull dhe një elitë politike nuk ka kohë të merret me histori, me urrejtje, me mllef, me qërimin e hesapeve për të bërat dhe të pabërat në të shkuarën  (ka kush merret me to), por duhet të merret me perspektivën e tij, me arsimimin dhe mjekimin e të gjithëve, me rritjen e të hyrave për kokë banori, me zvogëlimin e papunësisë, me shtimin e mirëqenies, me uljen e krimit dhe të korrupsionit, me krijimin e rrethanave kur qytetari dhe shteti do të jetojnë në paqe, në respekt të ndërsjellë, në mirëkuptim.

Kështu disi do të përkthehej porosia kryesore e Mandelës për ne, për qytetarët dhe politikanët e Kosovës.

Por, ndër ne gjithçka është e përzier: politika dhe gjyqësia, e vërteta, rrena dhe shpifja, së fundi edhe feja dhe politika, pastaj mësymja personale për karrierë me hipokrizinë politike, historia dhe e përditshmja, agjenda pro-evropiane dhe pro-perëndimore me mbërritjet e reja të llojllojshme lindore, prej mallit të lirë deri te botëkuptimet krejtësisht të panjohura  (dhe shumë të shtrenjta), etj. etj.

Nuk kemi kohë pra të merremi me lirinë dhe me shtetin, me të ardhmen tonë, sepse nuk jemi çliruar ende prej burgu shekullor ku kemi qenë.

Dyert e burgut i kemi hapur qëmoti, por ende i mbajmë çelësat e tyre. Thuajse nuk besojmë që ai rrëfim ka marrë fund një herë e përgjithmonë.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)