BE: Me mandatin e ri të EULEX-it, Kosova përgjegjëse për të luftuar korrupsionin

Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së dhe përfaqësitë diplomatike të Shteteve Anëtare të BE-së në Kosovë e mirëpresin vendimin e sotëm të Kuvendit të Kosovës për të zgjatur mandatin e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) për dy vjet.

Lajme

17/06/2016 18:01

“Me mandatin e ri, Kosova do të jetë përgjegjëse për sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Autoritetet duhet ta shfrytëzojnë mandatin e ri për të vazhduar një tranzicion të qartë të zotërimit dhe përgjegjësisë nga EULEX-i në Kosovë. Meqë kjo do të merr kohë, është e rëndësishme që ky ndryshim të jetë gradual, ashtu që të mos rrezikojë atë që është arritur në fushën e sundimit të ligjit deri më tani”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.

Vlerësojnë se Kosova ka arritur rezultate të rëndësishme në rrugën e saj evropiane, më e dukshmja me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, propozimin e Komisionit Evropian për udhëtim pa viza dhe normalizimin përmes Dialogut.

“EULEX-i ka qenë dhe vazhdon të jetë i lidhur me këto procese dhe me agjendën evropiane të Kosovës.BE-ja do të vazhdojë të bëjë përpjekjet e saj maksimale që të ndihmojë Kosovën në adresimin e sfidave në fushën e rëndësishme të sundimit të ligjit”, përfundon deklarata e tyre./ Lajmi.net