Mancini: Shaqiri, shkëlqen në sezonin e ri

Trajneri i Interit, Roberto Mancini është i bindur se Xherdan Shaqiri do të luajë dukshëm më mirë në edicionin e ardhshëm në Serie A.

Sport

22/05/2015 19:00

Xherdan Shaqiri nuk ka dhënë shkëlqimin e pritur në gjashtë muajt e parë të karrierës së tij në Serie A.

Ylli kosovar iu bashkua Interit nga Bayern Munich në janar, por ka qenë vetëm rezervist në shumicën e ndeshjeve në muajin e fundit.

Megjithatë, ai nuk do të largohet nga klubi, ka insistuar trajneri Roberto Mancini.

“E njoh mirë dhe e kam shikuar shumë kur ishte në Basel. Jemi të lumtur që e kemi transferuar. Njësoj sikurse Santon edhe ai ka pësuar një rënie të formës fizike”, deklaroi Mancini në konferencë për shtyp.

“Jemi të sigurt se në sezonin e ri mund të jetë shumë më i rëndësishëm për ne. Pozita e tij është ajo e mesfushorit të djathtë ose sulmues i dytë, siç është duke luajtur tani”, u shpreh ai.