Man Utd, rivali kryesor i Cityt

Sergio Aguero mendon se Manchester United është kundërshtari më i fortë i Manchester Cityt, në luftën për titullin e kampionit në Angli. Ndërkohë, sulmuesi argjentinas i ka përmendur edhe Chelsean e Arsenalin, si rivalë për titull.

Sport

16/08/2014 00:50

Sergio Aguero beson se Manchester United do të jetë kundërshtari kryesor i Manchester Cityt, në luftën e këtij të fundit për ta mbrojtur titullin e kampionit të Anglisë.

United e zhvilluan njërin prej sezoneve më të dobëta në Premierligë nën drejtimin e David Moyes, por sivjet, nën udhëheqjen e Louis van Gaal pritet të rikthehen në majat e futbollit anglez.

E për këtë i vetëdijshëm është edhe sulmuesi argjentinas. “Këtë vit mendoj se Manchester United do të na sfidojë. Më pas ka ekipe si Chelsea e Arsenal, të cilat, si gjithmonë, do të jenë atje për të luftuar me ne për ligë”, deklaroi El Kun.

“Por, ekipi që mendoj se do të na rrezikojë më së shumti është United, sepse nuk do të marrë pjesë në evenimente tjera dhe do të fokusohet vetëm në ligë”, vazhdoi sulmuesi argjentinas, i cili e sheh edhe Liverpoolin një kundërshtar të fuqishëm.