Man Utd konfirmon vendimin e Januzajt

Manchester United ka konfirmuar se ylli kosovar Adnan Januzaj ka vendosur të luajë për Belgjikën. Mesfushori 19-vjeç do të jetë pjesë e ekipit të selektorit Marc Wilmots.

Sport

23/04/2014 23:22

Mesfushori i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj ka konfirmuar se ka vendosur të luajë për Kombëtaren e Belgjikës.

19-vjeçari ka shkëlqyer deri më tani gjatë këtij sezoni për gjigantin nga Old Trafford, dhe ka bërë 32 paraqitje për Unitedin, duke shënuar katër gola, përfshirë dy të parët në ndeshjen e parë si titullar kundër Sunderlandit në tetor të vitit të kaluar.

Së fundmi, kanë qarkulluar shumë spekulime se për cilën Kombëtare do të luajë Januzaj. Mirëpo, futbollisti i lindur në Belgjikë, gjithnjë ka insistuar se është i përqendruar vetëm tek skuadra e Unitedit.

Mirëpo, selektori i Belgjikës, Marc Wilmots konfirmoi gatishmërinë e Januzajt për të luajtur për skuadrën e tij, ndërsa ylli kosovar e ka konfirmuar vendimin për ManUtd.com.