Man Utd humb 30 milionë funte

Manchester United do të humbë rreth 30 milionë funte nga dështimi për t’u kualifikuar në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Por, kjo nuk do t’i pengojë planet e klubit për të angazhuar përforcime.  

Sport

15/05/2014 17:25

Dështimi i Manchester Unitedit për t’u kualifikuar në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve do t’i kushtojë klubit 30 milionë funte, ka njoftuar zëvendës nënkryetari, Ed Woodward.

Mirëpo, Woodward insistoi se kjo nuk do të ndikojë në përpjekjet e klubit për angazhimin e përforcimeve gjatë afatit kalimtar të verës.

“Për shkak të marrëveshjeve televizive, ne vlerësojmë se humbjet tona në futbollin evropian do të na kushtojnë me rreth 30 milionë funte. Përgatitjet e klubit janë që menjëherë të rikthehemi në Ligën e Kampionëve dhe do ta shihni qëllimin në afatin kalimtar”, deklaroi ai për Daily Mail.

“Në sezonin 2013-14, ne përfunduam në pozitën e shtatë që nënkupton se nuk do të luajmë në gara evropiane, sezonin e ardhshëm. Por, të jeni të sigurt se të gjithë në klub janë duke punuar për të siguruar që sezonin e ardhshëm të jemi në nivelin e kërkuar të Manchester Unitedit”, theksoi ai.

Në ndërkohë, Manchester United ka shtyrë emërimin e Louis van Gaalit deri pas fundjavës për të mos penguar përgatitjet e Holandës, për miqësoren ndaj Ekuadorit në Amsterdam të shtunën.