Man City turpëron Arsenalin

Manchester City e dominoi Arsenalin duke e mposhtur me rezultat të thellë 6:3 në Etihad Stadium, në kryendeshjen e xhiros së 16’të në Premierligë. Në ballafaqim me liderin, skuadra e menaxherit Manuel Pellegrini tregoi se është konkurrent serioz për titull. Sergio Aguero kaloi vendasit në epërsi pas 14 minutash lojë, por Theo Walcott e riktheu…

Sport

14/12/2013 14:43

Manchester City e dominoi Arsenalin duke e mposhtur me rezultat të thellë 6:3 në Etihad Stadium, në kryendeshjen e xhiros së 16’të në Premierligë.

Në ballafaqim me liderin, skuadra e menaxherit Manuel Pellegrini tregoi se është konkurrent serioz për titull. Sergio Aguero kaloi vendasit në epërsi pas 14 minutash lojë, por Theo Walcott e riktheu Arsenalin në lojë pas gjysmë ore.

Mirëpo, vetëm nëntë minuta më vonë sulmuesi Alvaro Negredo u përkujdes që skuadrat të shkojnë në pushim me epërsinë e Cityt.

Fernandinho me një gol nga distanca në minutën e 50-të, realizoi për 3:1, kurse pas pak më tepër se një ore lojë Walcott realizoi sërish për Arsenalin.

Por, vetëm tre minuta më vonë, David Silva e riktheu avantazhin prej dy golave të Cityt, kurse Fernandinho me golin e tij të dytë në ndeshje në minutën e 88-të vulosi kapitullimin e londinezëve.

Por, edhe minutat shtesë dhuruan emocione. Per Mertesacker shënoi me kokë për Arsenalin kurse Yaya Toure nga penalltia për Cityn, për rezultatin final 6:3. Me këtë fitore, City ngjitet në pozitën e dytë, tri pikë më pak se Arsenali që kryeson me 35.