Man City ngjitet mbi Liverpoolin

Manchester City fitoi një ndeshje shumë të vështirë në udhëtim te Everton, me rezultat 3:2, dhe mori kryesimin në Premierligë, falë golaverazhit më të mirë se Liverpool.

Sport

03/05/2014 21:26

Manchester City shënoi fitore të madhe dhe shumë të rëndësishme në garë për titull të kampionit në Premierligë.

Skuadra e menaxherit Manuel Pellegrinit mposhti në udhëtim Evertonin me rezultat 3:2 në Goodison Park, në një duel jashtëzakonisht dramatik. Ndeshja nisi mirë për vendasit që kaluan në epërsi me golin e Roos Barkleyt në minutën e 11-të.

Por, Sergio Aguero barazoi rezultatin për Cityn në minutën e 22-të.

Mirëpo, sulmuesi argjentinas pësoi një lëndim dhe u desh të lironte fushën. Në vend të tij u inkuadrua Fernandinho.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, City e përmbysi rezultatin me golin e sulmuesit tjetër Edin Dzeko. Kurse, tre minuta pas intervalit sulmuesi boshnjak shënoi sërish duke thelluar avantazhin e mysafirëve.

Por, Romelu Lukaku riktheu Evertonin në lojë, me golin e tij në minutën e 65-të. Vendasit u shfaqën të rrezikshëm edhe në vazhdim por City rezistoi dhe mori kryesimin në Premierligë me 80 pikë, edhe pse me pikë të barabarta me Liverpoolin, por golaverazh më të mirë që mund të jetë vendimtar në përcaktimin e kampionit.