Man City lider, ndalet Chelsea

Manchester City konfirmoi periudhën e formës së shkëlqyeshme duke fituar në udhëtim te Tottenham Hotspur me rezultat të thellë 5:1, dhe mori kryesimin në Premierligë. Skuadra e menaxherit Manuel Pellegrini fitoi ballafaqimin në mënyrë shumë më të lehtë se që pritej. Sergio Aguero i kaloi mysafirët në epërsi herët në minutën e 15’të, rezultat me…

Sport

29/01/2014 21:41

Manchester City konfirmoi periudhën e formës së shkëlqyeshme duke fituar në udhëtim te Tottenham Hotspur me rezultat të thellë 5:1, dhe mori kryesimin në Premierligë.

Skuadra e menaxherit Manuel Pellegrini fitoi ballafaqimin në mënyrë shumë më të lehtë se që pritej. Sergio Aguero i kaloi mysafirët në epërsi herët në minutën e 15’të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Danny Rose ia vështirësoi Tottenhamit shpresën e rikthimit në lojë duke u përjashtuar në minutën e 50’të me ç’rast u akordua penallti në favor të Cityt. Nga pika e bardhë, Yaya Toure e dyfishoi avantazhin e mysafirëve.

Kurse, vetëm tre minuta më vonë Edin Dzeko e shënoi golin e tretë të Cityt duke vulosur fitoren e liderit të ri. Etienne Capoue e ngushtoi disavantazhin pas një ore lojë, mirëpo sulmuesi Stevan Jovetic e riktheu Cityn në epërsi prej tre golash, me shënimin e tij në minutën e 78’të.

Kurse, Vincent Kompany e vulosi rezultatin përfundimtar në minutën e fundit të kohës së rregullt. Tani City udhëheq me 53 pikë, një më tepër se Arsenal, dhe tri më shumë se Chelsea që luajti pa gola në shtëpi me West Hamin.

Chelsea nuk e gjeti golin

Skuadra e Jose Mourinhos humbi rastin të barazojë me pikë Arsenalin duke ndarë pikët në Stamford Bridge me njërën prej skuadrave më në krizë në Premierligë.

Mirëpo, dominimi në lojë dhe ato raste që iu ofruan, nuk i mjaftuan Chelseas që të realizojë të paktën një gol, atë të fitores.