Mamografi mobil jashtë funksionit për shkak të procedurave të regjistrimit

Mamografi mobil, i cili ishte blerë me iniciativën e Grupti të Grave Deputet të Kuvendit të Kosovës, të legjislacionit të katërt, e që do të shërbente në diktimin e hershëm kryesisht të kancerit të gjirit vazhdon të mos jetë në shërbim të atyre që kanë nevojë.

Lajme

09/01/2015 14:19

Qendra Klinik e Universitare e Kosovës (QKUK), thotë se arsyeja se pse Mamografi mobil, i cili ishte paraparë që të shkonte në tërë Kosovën, nuk është funksional ka të bëjë me procedurën e regjistrimit.

Sipas një njoftimi të QKUK-së, thuhet se Qendra e Regjistrimit të Automjeteve ka refuzuar ta regjistroj automjetin në emër të QKUK-së, pasi që në dokumentacionet e doganës figuron importues KCSF-ja.

Lexojeni të plotë letrën e QKUK-së:

“Zyra e Drejtorisë së Radiologjisë e sheh të arsyeshme të bëjë një kumtesë për publik lidhur me funksionalizimin e Mamografit mobil.

Mamografi mobil është përuruar me datën 31.Tetor 2014, në Sheshin “Nëna Terezë”, i cili iu është dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës nga Grupi i Grave Deputete.

Ministria e Shëndetësisë në koordinim me drejtorin e SHSKUK-së, Dr.Curr Gjocaj, u pajtuan që Mamografi Mobil t’i dorëzohet Klinikës së Radiologjisë për shfrytëzim, gjegjësisht departamentit të Mamografisë.

Mamografi Mobil fillimisht vendoset në hapësirat e SHSKUK-së, nga data 05 nëntor2014, për shkak të kërkesave të mëdha të Grupit të Grave Deputete (GGD) dhe shoqatës Jeta-Vita që të fillohet me ekzaminime, por arsye tjetër ka qenë dhe problemet teknike/ligjore – mosregjistrimi i automjetit i cili pamundëson lëvizjen e automjetit në terren.

Problemi i regjistrimit të automjetit të Mamografisë Mobile

Automjeti dhe mamografi është importuar nga implemetuesi i projektit, që është OJQ-ja KCSF dhe si i tillë është i liruar nga pagesa e taksave doganore dhe tatimore (Ligji 04/L-163, Aneksi I, Pjesa (paragrafi) 4, Aneksi A, Kreu XV, Neni 65 Kodi Doganor për taksat e Doganës dhe Akcizës, Ligji për taksën e TVSH-së Nr:03/L-146 Neni 30), por Qendra e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) ka refuzuar ta regjistroj automjetin në emër të QKUK-së, pasi që në dokumentacionet e doganës figuron importues KCSF-ja. QRA rekomandon zyrën e drejtorisë qendrore të SHKUK-së t’i drejtohet doganave të Kosovës që dogana të ndërroj emrin e importuesit – problem ky që ende nuk është zgjedhur.

SHSKUK ka adresuar edhe shkresë zyrtare për mundësinë e tejkalimit, përkatësisht rregullimin e dokumentacionit për çështje teknike. Problemi i vjedhjes së kabllos së furnizimit me rrymë elektrike

Në mbrëmjen e datës 10 Dhjetor 2014 ndodhi vjedhja e kabllos së furnizimit me rrymë elektrike të mamografit mobil. Stafi i Radiologjisë me datën 11 Dhjetor, 2014 lajmëron organet kompetente (Policinë e Kosovës). Zyra e drejtorisë qëndrore merr vendim të menjëhershëm që të blihet kablloja dhe gjithashtu kontaktohet kompania “MedBrand” e cila është përgjegjëse për servisimin e aparatit. Pas zgjidhjes së problemit të kabllos, gjatë testimit të aparaturës evidentohen defekte teknike të shkaktuar nga mungesa e rrymës elektrike. Evidentohet defekti në UPS (bateritë për furnizim me rrymë elektrike) dhe probleme teknike në aparatet e klimatizimit. Me procedura të shpejtuara SHKUK-ja, siguron UPS dhe eviton problemin me klimatizim. Mamografi mobil vihet në funksion përsëri. Mamografi mobil është aparaturë digjitale, dhe parametrat teknik pamundësojnë punën e tij në kushte të temperaturave të ulëta të motit. Për shkak të kushteve të rënda atmosferike, të sigurisë dhe në mungesë të garazhimit në hapësirat e SHKUK-së, në bashkëpunim me kompaninë “MebBrand” sigurohet (aktualisht si donacion,por jemi në negocim për kontraktim të këtij shërbimi) garazhimi në objektet e “Auto-Mita” dhe vendoset që automjeti i mamografisë mobile të sillet në hapësirat e SHKUK-së (përsëri i paregjistruar) për ti kryer ekzaminimet mamografike.

Përkundër këtyre problemeve, stafi i klinikës së radiologjisë me mamografi mobile në hapësirat e SHKUK-së kanë kryer rreth 300 ekzaminime. Këto ekzaminime janë kryer të gjitha me kërkesa të bëra në mënyrë zyrtare nga Shoqata Jeta-Vita, GGD, Drejtori për shërbime shëndetësorë në Policinë e Kosovës dhe zëvendës avokatja e popullit. Poashtu, pas evitimit të problemit janë lajmëruar me kohë gratë police të cilat do të ekzaminohen në ditët në vijim. Shkak i mos-ekzaminimit ishin festat e fundvitit dhe kushtet atmosferike.

Planifikimi strategjik i implementimit të projektit të Mamografisë Mobile është i përpiluar, por problem paraqesin: mosregjistrimi i automjetit nga QRA (që pritet të zgjidhet së shpejti), sigurimi i stafit permanent, stafit përcjellës – shoferi, garazhimit të automjetit, automjeti shoqërues që përcjell stafin në vendin ku shkon mamografi etj.

Ne si klinikë e radiologjisë, reagojmë ashpër ndaj elementeve fyese të drejtuara ndaj shërbimit të radiologjisë në QKUK, sepse në asnjë moment nuk ka munguar shërbimi i mamografisë i cili punon me shumë përgjegjësi dhe kujdes profesional, duke kryer çdo javë rreth 80 ekzaminime mamografike në aparaturën që posedon Klinika e Radiologjisë pranë SHKUK-së, e cila është aparaturë e kualitetit të kategorisë së lartë (që nuk gjendet në klinikat private ekzistuese), dhe në asnjë moment nuk është cenuar e drejta e pacientëve për këtë shërbim.

Shërbimi i mamografisë ekziston gjithashtu në të gjitha Qendrat Spitalore Regjionale dhe në disa Qendra të Mjekësisë Familjare, ku gruaja kosovare në asnjë moment nuk ka pasur mungesë të ekzaminimit mamografik.

Ky sensacion negativ mediatik i ngjarjeve rreth mamografit mobil vetëm se i bashkëngjitet lajmeve të vazhdueshme lidhur me diskreditimin e shërbimeve publike shëndetësore. Ne si punëtorë shëndetësor distancohemi jashtëzakonisht nga të ashtuquajtura “grupet kriminele”, dhe është mirë ata që kanë fakte të i denoncojnë të ashtuquajturat “grupe kriminele”, ose të mos bëjnë sensacione publike të pa bazuara. Ne si staf mjekësorë jemi të gatshëm të ndihmojmë në zbardhjen e tyre nëse ekzistojnë.