‘Mama, erdhën policët’- Dalin detaje nga vrasja e çiftit shqiptar në Athinë

Të tjera prova janë mësuar në lidhje me ngjarjen tragjike në Athinë, ku një çift shqiptarësh u vranë në banesën e tyre gjatë një grabitje.

Bota

07/02/2017 11:05

Sipas hetimeve, dy grabitësit u prezantuan si policë për të hyrë brenda shtëpisë. Ka qenë djali 28-vjeçar i çiftit shqiptar që u hapi derën dhe bërtiti “mama, mama, policë, policë”.

Kjo fjali e tij ka habitur hetuesit grekë, të cilët kanë marrë dëshminë e tij. Pasi autorët u prezantuan si punonjës policie, djali hapi derën e banesës. Ai është i vetmi dëshmitar kyç i ngjarjes së rëndë, shkruan Syri.net.

Mediat greke raportojnë se 28-vjeçari vuan nga autizmi dhe për shkak të kësaj ai bëri gabimin duke lënë grabitësit të hynin brenda banesës. Dy të armatosurit shkuan në dhomën e gjumit të çiftit dhe i ekzekutuan me plumb në kokë.

E çuditshme mbetet fakti se në një prej sirtarëve në kuzhinë ndodhej një shumë parash, por që grabitësit nuk e kanë marrë. Megjithatë, hetuesit grekë thonë se grabitja mbetet pista kryesore e hetimit.

Policia është duke analizuar kamerat e sigurisë në zonën përreth që të mund të identifikojë autorët. Sipas burimeve të CNN grek, hetuesit kanë mbledhur gjurmë të mjaftueshme ADN-je dhe priten rezultatet për të mësuar se kujt i përkasin.