Malta e përkrahë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë vizitës së tij zyrtare në Maltë, u prit në një takim të veçantë nga presidentja e këtij vendi, Marie-Louise Coleiro Preca.

Lajme

01/11/2017 18:14

Në kuadër të këtij takimi, Pacolli fillimisht i ka përcjellë përshëndetjet presidentes së këtij shteti në emër të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ndërkohë që e ka falënderuar për mbështetjen konsistente të Maltës që i ka dhënë Kosovës dhe nëpër të gjitha proceset e rëndësishme që ka kaluar vendi ynë.

Tutje, Pacolli kërkoi që mbështetja e tillë të vazhdojë të ekzistojë edhe më tutje, në veçanti sa i përket anëtarësimit të vendit tonë në Këshillin e Evropës, Interpol, UNESCO dhe Organizata të tjera dhe mbështetjen për forcimin e legjitimitetit ndërkombëtarë të Kosovës nëpërmjet zgjerimit të njohjeve të reja.

Duke folur për anëtarësimin e Kosovës në Organizata Ndërkombëtare, presidentja e Maltës,  Marie-Louise Coleiro Preca tha se Malta në vazhdimësi e ka mbështetur Kosovës dhe do të vazhdojë që ta mbështesë edhe më tutje.

Pacolli dhe Coleiro Preca, kanë vlerësuar marrëdhëniet shumë miqësore të zhvilluar në mes dy vendeve dhe dy popujve, dhe kanë diskutuar edhe për nënshkrimin e një Memorandumi Bashkëpunimi në mes dy vendeve në fushat që do të jenë me interes për të dyja vendet dhe që do të përfshijnë arsimin dhe të tjera.