Mali i Zi drejt Perëndimit, apo kthim në krahët e Rusisë?

Me një ushtri prej 2000 forcash, vendi i shtrydhur mes maleve dhe detit Adriatik nuk do ta forconte aspak mbrojtjen e Perëndimit në ndonjë konfrontim me Rusinë.

Lajme

25/03/2017 09:03

Por pavarësisht mangësive në fuqinë ushtarake, Mali i Zi e sheh veten në mes të grindjeve të mëdha midis Perëndimit e Moskës për influencë në Ballkan.

Rezultati i këtyre grindjeve mund të përcaktojë se në cilën rrugë do të shkojë i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor: drejt Bashkimit Evropian, NATO-s dhe integrimit me Perëndimin, apo do të kthehet në krahët e Rusisë.

Qëndrimi properëndimor i Gjukanoviçit

“Është e qartë se tensionet Lindje-Perëndim kanë lënë pasoja për sigurinë dhe në situatën politike në Ballkanin Perëndimor”, thotë ish-kryeministri Milo Gjukanoviç për “Associated Press”.

Ai shtoi se përballë influencës “shkatërruese” ruse në Malin e Zi, Perëndimi duhet që “në kohën më të shkurtër të mundshme të marrë një kurs më të vendosur në mbrojtje të sistemit të vlerave evropiane”.

Qëndrimi properëndimor i Gjukanoviçit e bëri atë objektiv të një puçi të dyshuar në ditën e zgjedhjeve, tetorin e shkuar, kur shërbimi sekret i Kremlinit u supozua se kishte në plan ta vriste, ta përmbyste qeverinë e tij dhe ta zëvendësonte me një regjim kukull.

E gjitha kjo për shkak të aspiratës për anëtarësim në NATO, të cilën Gjukanoviç e udhëhoqi deri në momentin kur dha dorëheqjen pas zgjedhjeve.

Mali i Zi ka qenë aleat besnik i Rusisë, por pas ndarjes nga Serbia më 2006-ën vendi me 620 mijë banorë mori një kthesë të fortë drejt integrimit Euroatlantik.

Rusia e kundërshton fort zgjerimin e aleancës ushtarake perëndimore në një rajon që e konsideron si pjesë të sferës së saj strategjike të interesit. E vetëdijshme për ndikimin rus në rajonin ende të paqëndrueshëm, NATO-ja e dëshiron Malin e Zi në Aleancë.

Anëtarësia e Malit të Zi është ratifikuar nga 25 prej 28 anëtarëve. Senatorët amerikanë nuk e kanë miratuar ende, mes frikës në Malin e Zi dhe rajon se administrata e presidentit Donald Trump është shumë toleruese karshi presidentit rus Vladimir Putin dhe nuk do të bëjë asgjë për ta frenuar zgjerimin e influencës së tij.

Kremlini i ka mohuar akuzat për përfshirje në grushte shteti, por ka dalë hapur kundër NATO-s, jo vetëm në Malin e Zi, por edhe në Serbi, Bosnjë e Maqedoni, duke përkrahur grupe pro Moskës në të gjitha këto vende.

Andrija Mandiç, lider i koalicionit Fronti Demokratik, thotë se Mali i Zi nuk duhet të bëhet kurrë pjesë e NATO-s dhe duhet të mbajë lidhje të forta me vëllezërit sllavo-ortodoksë në Rusi.

“Ne i përkasim një rrethi të civilizuar që ka trashëguar traditat më të mira të Malit të Zi, i cili për 300 vjet pati marrëdhëniet më të mira, dikur me Perandorinë Ruse, e më pas me Bashkimin Sovjetik”, tha Mandiç për “Associated Press”, përcjell “Zeri.info”.

Analistët thonë se pas gjithë tensioneve qëndrojnë objektiva strategjikë.

Rusët kanë blera prona përgjatë bregdetit

Rusia ka si qëllim aksesin në portet e thella të Malit të Zi për flotën e Mesdheut dhe për t’i mbrojtur interesat politikë e ekonomikë. NATO-ja dëshiron mbajtjen e flotës së fuqishme ruse larg të ashtuquajturve “dete të ngrohta”.

Mali i Zi është i vetmi vend i Adriatikut që nuk është anëtarësuar ende në NATO.

“Rusia beson se Ballkani Perëndimor është pjesërisht në sferën e saj të influencës”, thotë Genadij Sisojev, korrespondenti i Ballkanit për të përditshmen ruse Kommersant.

“Ky besim bazohet në faktin që këtu ndjenjat proruse janë të forta. Në mes të konfrontimit me Perëndimin, Rusia mendon se kushdo që nuk është me Rusinë është kundër Rusisë”.

Vitet e fundit të pasur e të famshëm rusë kanë blera prona përgjatë bregdetit mahnitës të Malit të Zi dhe kanë hapur biznese.

Në majë të një mali që qëndron mbi gadishullin spektakolar turistik të Shën Stefanit është një fshat i tërë i populluar me rusë dhe shkollat në gjuhën ruse janë hapur për numrin në rritje të rusëve.

Përgjatë rrugëve ka shumë reklama në rusisht për shitje pronash në bregdet,

Teksa dy fregata malazeze qëndrojnë të përgjumura në portin jugor në Bar, të rrethuara nga anije patrullimi të ndryshkura, të tërhequra në breg, vetëm pak kilometra sipër bregut është marina e Porto Montenegros, ku apartamentet dhe jahtet luksoze, shumë në pronësi të oligarkëve rusë, po përgatiten për sezonin e ri veror.

Mali i Zi mbetet thellësisht i ndarë midis atyre që kërkojnë dhe kundërshtojnë NATO-n dhe integrimet e tjera me Perëndimin.

Si aleat i Serbisë, Mali i Zi u bombardua nga NATO-ja më 1999-ën, gjatë fushatës për t’i dhënë fund dhunës serbe në Kosovë. Kjo e bëri NATO-n shumë jopopullore në vendet me shumicë dominuese ortodokse.

“Jam kundër NATO-s sepse nuk mund t’i harroj bombat që na hodhën këtu dhe vëllezërve rusë”, thotë teksa përgatit rrjetat Stanko Lazareviç, një peshkatar nga fshati i Bigovës.

Ndërsa pensionisti Milorad Novakoviç mendon se është në interesin e Malit të Zi t’i bashkohet NATO-s.

“U përket politikanëve t’i balancojnë marrëdhëniet midis Malit të Zi e Rusisë dhe të përpiqen të kenë marrëdhënie të nivelit të mirë me Moskën”, thotë Novakoviç.

“Nuk shoh se si Mali i Zi mund ta vërë në rrezik Rusinë duke u anëtarësuar në NATO”.