Malala Sakharov

Duke marrë Çmimin “Sakharov”, Malala Yousafzai tha se fëmijët në vende si Pakistani “nuk dëshirojnë iPhone, PlayStation ose çokoladë, ata thjesht duan një laps dhe një libër”.

Bota

20/11/2013 14:16

Nxënësja pakistaneze dhe njëherësh edhe aktivistja Malala Yousafzai, e cila ishte qëlluar në kokë nga talibanët, ka pranuar çmimin Sakharov nga Parlamenti Europian

Çmimi u ndahet personaliteteve botërore që luftojnë për të drejtat e njeriut.

Malala ia dedikoi këtë çmim “heronjve të padëgjuar të Pakistanit”, dhe gjithashtu edhe aktivistëve për të drejtat e njeriut në mbarë botën.

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz ishte i pranishëm gjatë ndarjes së këtij çmimi.

Aktivistja 16 vjeçare, e cila ishte qëlluar në kokë para një viti, pasi kishte bërë fushatë për të drejta më të mira të vajzave në Pakistan.

Çmimi Sakharov, për lirinë e fjalës, është çmim i përvitshëm që  ndahet nga Parlamenti Europian, në kujtim të fizikanit disident sovjetik, Andrei Sakharov.

Çmimi prej 50 mijë eurosh konsiderohet si çmimi me vlerë më të madhe për të drejtat e njeriut në Europë.

“Unë kam shumë shpresë se Parlamenti Europian do të shikojë edhe në shtetet përtej Europës në shtetet ku njerëzit akoma vuajnë dhe janë të privuar nga të drejtat e tyre elementare, për lirinë e të menduarit e drejtë kjo që po ju shtypet, dhe liria e fjalës që u është burgosur”, tha Yousafzai.

“Shumë fëmijë nuk kanë bukë për të ngrënë, nuk kanë ujë për të pirë dhe fëmijët janë të uritur për edukim. Është alarmante që 57 milionë fëmijë janë të privuar nga edukimi… kjo duhet që të na e tronditë ndërgjegjen tonë”.

Ajo tha se fëmijët në vende si Pakistani “nuk dëshirojnë iPhone, PlayStation ose çokoladë, ata thjesht duan një laps dhe një libër”.

Deputetët e Parlamentit Europian, u ngritën në këmbë dhe duartrokitën.

Më shumë se 20 ish-laureatë morën pjesë në ceremoni. Malala Yousafzai është laureatja e 25 e këtij çmimi.

Schultz e quajti atë “ikonë globale” dhe i tha asaj se “ti u ke dhënë shpresë miliona fëmijëve”.

“Është përgjegjësia jonë që të sigurojmë që ëndrra juaj të bëhet realitet”, tha ai, duke iu referuar ambicies së saj që të shpërndajë edukimin falas për djemtë dhe vajzat, në mbarë botën.

Ai gjithashtu kërkoi nga babai i saj që “ të mos e mbyll vajzën e tij por ti jap asaj liri”.

Malala u bë e rëndësishme në vitin 2009, pasi kishte filluar që të shkruante në blogun e BBC Urdu,- në mënyrë anonime- duke u treguar atyre për jetën nën sundimin taliban dhe për mungesën e arsimimit të vajzave.

Ajo ka jetuar në Pakistan në Luginën Swat, dhe emri i saj u bë i njohur ndërkombëtarisht, pasi që ushtria pakistaneze largoi talibanët nga ajo zonë në vitin 2009.

Doktrina islamike e striktë e talibanëve vë kufizime të ashpra mbi të drejtat e femrave dhe njëri prej militantëve e kishte qëlluar atë në kokë, teksa ajo po kthehej me autobus nga shkolla së bashku me shokët e saj.

Ajo i bashkohet një liste të nderuar të fituesve të çmimit Sakharov, listë e cila përfshinë Nelson Mandelën dhe Aung San Suu Kyi.