Makineria po shitet për shkaqe ekonomike të ndërmarrjes

Menaxhmenti i Fabrikës së Tubave në Ferizaj ka pranuar të hënën se makineri të kësaj fabrike nga reparti për saldim drejtvizor të gypave po shitën në Maqedoni.

Lajme

10/11/2014 17:55

Sipas tyre, bëhet fjalë për pjesë të makinerisë së vjetër të këtij reparti, të cilat nuk po përshtaten me programin zhvillimor, për shkak të vjetërsisë, defekteve të pariparueshme dhe pamundësisë për t’u rikthyer në prodhim.

Menaxheri i kësaj ndërmarrje, Arianit Vllahiu, gjatë një konference për medie, ka thënë se kjo fabrikë i ka dy reparte, atë saldimit spiral i cili funksionon dhe po e mbanë fabrikën dhe atë të saldimit drejtvizor të gypave, i cili asnjëherë nuk ka funksionuar prej se është privatizuar kjo fabrikë.

“Asnjëherë nuk kemi pasur mundësi teknike që këtë repart ta funksionalizojmë për shkak se bëhet fjalë për një makineri të vjetër të viteve ’70, për të cilat nuk gjinden më pjesë. Veç kësaj edhe harxhimet e energjisë në këtë repart janë të larta, sa që nuk ia vlen me marr një kontratë e cila është më e vogël se 500 ton. Kjo është arsyeja që ne kemi vendos me liru vend në repartin për prodhimin e gypave me saldim drejtvizor, për të sjellë makinerinë tonë, të cilën e kemi kontraktuar. Pronari e ka blerë makinerinë, ajo është italiane dhe është duke pritur vetëm të lirohet vendi dhe të përshtatet reparti. Besojmë se brenda një fati prej 7 muajsh të fillohet me prodhimin e profileve të çelikta”, ka thënë Vllahiu.

Sipas menaxhmentit, është paraparë që instalimi i makinave të reja në këtë repart nënkupton edhe hapjen vendeve të reja të punës.

“Në atë repart ne planifikojmë të punësojmë 100 – 150 punëtorë. Këta do të jenë njerëz të komunës së Ferizajt, ata nuk do të vijnë prej komunave të tjera, kështu që është e pakuptimit një reagim i njerëzve të cilët nuk i kanë informatat e sakta por, merren me thashetheme të rrugës”, ka thënë Vllahiu.

Reagimin e sindikatës së punëtorëve të fabrikës, drejtuesit e kësaj fabrike e kanë quajtur skandaloze, ngase e vërteta sipas tyre është kjo.

“Këto janë dezinformata, ne e kemi shpjeguar se çka jemi ka bëjmë,jemi transparent, fabrika është e privatizuar në vitin 2007, fabrika në 2011 e ka përfunduar spin off -in special. Në këtë mënyrë, ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet pranë AKP-së dhe kjo ka ardhë në përfundim se ne i kemi plotësuar kushtet dhe prej 2011 jemi kompani private”, ka shpjeguar Vllahiu, për të shtuar se të qenit kompani private është evidente dhe se shqetësimin për shitje duhet ta bartë pronari i kësaj fabrike, e jo dikush tjetër që nuk është pjesë e fabrikës.

“Qëllimi jonë kryesor janë investimet e reja, të cilat është duke i bërë pronari dhe shtimi i numrit të punëtorëve që nënkupton edhe rezultate afariste pozitive, që është edhe interesi ynë”, ka thënë menaxheri Vallahiu.

Për më tepër, drejtues të kësaj fabrike kanë pranuar se pjesë të kësaj makinerie po shitën në Maqedoni. Ata nuk e kanë bërë të ditur emrin e kompanisë që e ka fituar të drejtën për blerje e kësaj makinerie të çmontuar me arsyetimin se është sekret financiar, por kanë thënë se oferta e tyre ka qenë më e pranueshme. Bazuar në informacionet e ofruar nga menaxhmenti i ndërmarrjes makineria po shitet për skrap me një çmim që nuk u bë publik. “Vlera e investimeve që do të bëhet në këtë repart shumëfish do të tejkaloi vlerën e shitjes”, nënvizoi Vllahiu.

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave, të tubuar rreth sindikatës, kanë reaguar të hënën rreth këtij veprimi të menaxhmentit të kësaj fabrike, e cila sipas tyre nuk po e pret afatin e likuidimit të fabrikës e më pastaj të ndërmarr një veprim të tillë.

Kryetari i sindikatës, Ali Azemi, ka thënë se do t’i drejtohen AKP-së me një shkresë për të drejtën e shitjes së makinerisë së fabrikës në këtë formë, transmeton KosovaPress.