Makineria e golit quhet BBC

Së pari ishte një B (Benzema), vazhdoi një tjetër B (Bale) dhe e përfundoi C (Cristiano). BBC e Real Madridit e shkatërroi Schalken, duke ia ‘dhuruar’ gjashtë gola. Benzema, Bale e Ronaldo realizuan nga dy gola, duke e konfirmuar fuqinë dhe formën e jashtëzakonshme nëpër të cilën po kalon ekipi i Carlo Ancelottit. Madje, CR7…

Sport

27/02/2014 10:00

Së pari ishte një B (Benzema), vazhdoi një tjetër B (Bale) dhe e përfundoi C (Cristiano). BBC e Real Madridit e shkatërroi Schalken, duke ia ‘dhuruar’ gjashtë gola.

Benzema, Bale e Ronaldo realizuan nga dy gola, duke e konfirmuar fuqinë dhe formën e jashtëzakonshme nëpër të cilën po kalon ekipi i Carlo Ancelottit.

Madje, CR7 ia doli ta kalojë Zlatan Ibrahimovicin në renditjen e realizatorëve më të mirë në Ligën e Kampionëve me 11 gola, karshi 10 të suedezit.

Ndërkohë, Ronaldo është vetëm një gol larg rekordit personal, 12, të cilin e kishte regjistruar në sezonin 2007/08 dhe tri larg rekordit absolut prej 14 golash, të cilin e kanë regjistruar Messi e Altafini.

Trajneri italian e vendosi në fushë treshen e luksit në sulm, në ndeshjen e zhvilluar në Gelsenkirchen dhe ata nuk e zhgënjyen. Në fakt, BBC arritën në kuotën e 70 golave këtë sezon, më shumë se krejt ekipi i Schalkes gjatë këtij edicioni.

Kjo ishte hera e parë që Reali i shënon gjashtë gola në tokën gjermane, pas 26 vizitave që i kishte bërë atje. Sa i përket futbollistit më të mirë në botë, portugezi ka realizuar 36 gola në të gjitha kompeticionet këtë sezon.

Ndërkaq, sulmuesi francez ka shënuar 20 gola këtë sezon, ndërsa e demonstroi se përse e quajnë ‘Mister Champions’, pasi ka realizuar plot 22 gola në kompeticionin më të rëndësishëm kontinental me Realin në 40 ndeshje të zhvilluara.

Këta ishin gola domethënës për Benzema, i cili nuk shënonte në Evropë që nga xhiroja e parë e fazës së grupeve ndaj Galatasarayt, ku po ashtu e kishte dhënë një dygolësh.

Sa i përket uellsianit, ai vazhdoi të impresionojë. Bale arriti në kuotën e 14 golave në sezonin debutues me të bardhtë. I pari i ish futbollistit të Tottenhamit mbrëmë ishte një art i vërtetë, pasi ‘luajti’ me mbrojtjen kundërshtare.