Majlinda, kampione e Evropës

Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e artë në Kampionatin evropian të xhudos në Montpellier. Xhudistja pejane triumfoi në finale ndaj ruses Natalia Kuziutina.

Sport

24/04/2014 18:54

Majlinda Kelmendi është kampione e re e Evropës në xhudo, për herë të parë në karrierën e saj.

Xhudistja pejane ka triumfuar në garën kontinentale të zhvilluar në Montpellier, pas paraqitjeve fantastike në secilin ballafaqim. Ajo mori medaljen e artë – në kategorinë 52 kilogramë – pas fitores në finale ndaj ruses Natalia Kuziutina.

Kelmendi shkëlqeu në të gjitha ballafaqimet, ajo fitoi duelin gjysmëfinal kundër gjermanes Mareen Kraeh dhe siguroi kalimin tuje në meçin vendimtar për titull të kampionit, ku mposhti rusen Natalia Kuziutina.

Ajo e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa në atë të dytë ishte më e suksesshme se rumunia Florian Alexandra Larisa. Në rrethin e tretë, ajo e mposhti armenen Zhanna Stankevich, duke e siguruar një vend në gjysmëfinale.

Ndërsa, Akil Gjakova ndërkohë u eliminua në meçin e parë, njëjtë si Distria Krasniqi, që nuk shkoi më larg se rrethi i dytë.