Majlinda e pandalshme

Majlinda Kelmendi e ka shtuar në vitrinën e saj edhe një medalje, pas triumfit në Evropianin e Francës. Federata Evropiane e Xhudos e ka përshëndetur suksesin e xhudistes kosovare, të cilën e konsideron si të pandalshme.

Sport

25/04/2014 12:58

Federata Evropiane e Xhudos, e ka përshëndetur paraqitjen e Majlinda Kelmendit në Kampionatit Evropian, i cili po mbahet në Montpellier të Francës.

Përmes rrjetit social Facebook, European Judo Union (EJU) e ka postuar një fotografi, ku shihet meçi final i kategorisë 52 kilogramë, ndërmjet xhudistes kosovare dhe ruses Natalia Kuziutina.

“Kampionia e botës Kelmendi, e shtoi edhe një titull në dhomën e saj të trofeve. Kelmendi e fitoi finalen në 52 kg ndaj Kuziutinas së Rusisë. Ajo është e pandalshme”, ka shkruar EJU, në grupin e tij zyrtar.

Pejania e fitoi Evropianin për herë të parë në karrierë, ndërsa e kishte fituar Botërorin në Rio de Janeiro të Brazilit, vitin e kaluar.