Maicon, u kry

Maicon nuk do të kthehet më në Kombëtaren e Brazilit, pas përjashtimit nga ekipi në fundjavë, ka njoftuar menaxheri i tij, Antonio Caliendo. Por, ai do ta vazhdojë karrierën në nivelin e klubeve.

Sport

09/09/2014 10:58

Menaxheri i mbrojtësit Maicon ka refuzuar të sqarojë pse klienti i tij ëhstë përjashtuar nga Kombëtarja e Brazilit, por pranoi se ai mund të mos rikthehet më në skuadër.

Futbollisti i Romës në mënyrë të papritur u kërkua të largohet nga ‘Selecao’ të dielën, por koordinatori i përgjithshëm, Gilmar Rinaldi, kishte thënë se kjo erdhi për shkak të një “problemi të brengshëm”.

Së fundmi kanë filluar të qarkullojnë spekulime të shumta se Maicon mund edhe të pensionohet. Por, menaxheri i tij, Antonio Caliendo ka theksuar se 33-vjeçari do të vazhdojë karrierën e tij në nivelin e klubeve.

“Maicon do të luajë edhe disa sezone tjera”, deklaroi ai për “Tele Radio Stereo”.

“Njësoj sikurse Cafu. Ne i dimë dëshirat e tij jashtë futbollit. Mirëpo, ai ka një fuqi të natyrës në punë. Dhe, kur ai ndalet, mendoj se do të zhduket nga bota e futbollit. Nuk mund të komentoj incidentin por mund të them se Dunga dhe Rinaldi janë shokë të mirë dhe nëse trajneri e ka marrë një vendim kaq të rëndë, Maicon nuk do të kthehet më në skuadër”, u shpreh ai.