Maduro largon diplomatin më të lartë amerikan nga Venezuela

Presidenti venezuelas, Nicolas Maduro njoftoi sot largimin e të ngarkuarit për çështjet amerikane në Karakas, Todd Robinson, përfaqësuesi më i lartë diplomatik i SHBA-së, pas vendosjes së sanksioneve ekonomike nga Uashingtoni.

Bota

22/05/2018 23:16

“Kam shpallur persona non grata të ngarkuarin për çështjet e SHBA-së dhe njoftoj largimin e tij brenda 48 orëve”, deklaroi presidenti socialist në një fjalim në Këshillin Kombëtar Elektoral.

Maduro i përgjigjej me këtë masë dekretit të firmosur dje nga homologu i tij amerikan, Donald Trump që synon të reduktojë kapacitetin e Karakasit për të shitur asetet e tij.

“I kundërshtoj të gjitha sanksionet kundër Republikës bolivariane të Venezuelës, sepse ato dëmtojnë, ato i shkaktojnë vuajtje popullit venezuelas”, deklaroi Maduro, në pushtet që prej vitit 2013 dhe i rizgjedhur të dielën për një mandat të ri, deri në vitin 2025, përcjell Atsh.

Nicolas Maduro ka urdhëruar gjithashtu përjashtimin e numrit dy të misionit diplomatik, Brian Naranjo, të cilin e ka akuzuar si përfaqësues të CIA-s në Karakas.