Macron: Liderët e G7-ës duhet të jenë të kujdesshëm me Trumpin

Grupi i shtatë vendeve më të Industrializuara (G7), do t’i bëjë presion presidentit amerikan, Donald Trump gjatë samitit të kësaj jave lidhur me tarifat që ka vënë ai në importet e çelikut dhe alumunit.

Bota

07/06/2018 17:55

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se këtë çështje do ta trajtojnë me kujdes teksa tentojnë t’i ndryshojnë mendimin liderit amerikan, transmeton Reuters.

Mirëpo Macron, duke folur për gazetarët pas bisedimeve me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se gjashtë vendet tjera anëtare janë mjaftueshëm të fuqishme, të cilat mund të mbijetojnë nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të heqin dorë nga roli i tyre global.

Komentet e Macronit reflektojnë tensionet për tregti, të cilat pritet të dominojnë samitin që do të mbahet më 8-9 qershor.

Vendet anëtare të G7-ës kanë thënë se do të jenë të ashpra derisa përballen me Trumpin, ndonëse nuk dëshirojnë përshkallëzim të situatës.

“Në këtë ambient, pavarësisht të gjithave neve na duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mundohemi t’i bindim ata, t’i mbajmë Shtetet e Bashkuara afër sepse ata janë aleatët tanë historikë dhe na duhen”, ka thënë Macron.

Trudeu ka thënë se liderët do të shprehin pakënaqësinë e tyre duke shprehur optimizmin e tij në samitin dyditor në Kuebek.