Lutfi Haziri tregon pse u ndërprenë punimet në Stadiumin e Gjilanit

Në nëntor të vitit të kaluar, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe përfaqësuesit e klubeve Drita dhe Gjilani, kanë vënë gurthemelin e rindërtimit të stadiumit të qytetit.

Sport

25/04/2018 19:11

Punimet në stadiumin e qytetit në Gjilan nuk kanë filluar akoma të marrin formë.

Ky është një nga projektet më të mëdha të sportit, pasi stadiumi është i kategorisë së katërt të UEFA-s dhe në të ardhmen klubet mund të luajnë në këtë stadium edhe në garat e mëdha evropiane.Mirëpo së fundmi punimet në këtë stadium janë ndërprerë.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka folur për “GazetaBlic”, për rifillimin e punëve në këtë stadium.

“Javën e kaluar kemi rishikuar projektin me firmën projektuese. Jemi dakorduar për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me këtë fazë, por jemi duke e pritur përfundimin e kampionatit”.

“Punët sekondare fillojnë shumë shpejtë, mirëop kampionati na ka penguar”.

Haziri më tutje ka folur edhe për kohëzgjatjen e punimeve dhe punët që do të kryhen në stadium.

“Punimet do të zgjasin 18 muaj. Tribinat do të rrënohen, do të ndërtohen të reja, do të rindërtohet projekti i vjetër. Do të zgjerohet pasi do të ndërtohet edhe brezi i sigurisë. Stadiumi do të jetë i kategorisë së katërt të UEFA-s.”

“Nuk kemi pasur ndonjë ndryshim në projekt, vetëm kemi bërë fazën e dinamikës së realizimit të punimeve”, përfundoi Haziri.