Lutfi Haziri ndan mirënjohje për artisten gjilanase në Kanada, Tringa Rexhepi

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka ndarë sot mirënjohje për Tringa Rexhepin, gjilanasen e cila jeton në Canada, për sukseset e arritura në fushën e artit si fituese e shumë çmimeve të rëndësishme, e në mesin e të cilave edhe “Human Rights Awards”.

Lajme

14/12/2017 14:17

Kryetari Lutfi Haziri, gjatë pritjes që ka bërë për zonjën Rexhepi, ka thënë se Komuna e Gjilanit dhe qytetarët e saj janë krenare me përfaqësimin dhe sukseset që arrijnë të rinjtë e Gjilanit kudo nëpër botë.

“Tringa Rexhepi, është pjesë e Gjilanit kudo që të ndodhet. Ajo me sukseset e arritura në art, kulturë dhe konkretisht në fushën e muzikës, na nderon të gjithë neve. Është fituese e shumë çmimeve me rëndësi nëpër organizime të festivaleve të ndryshme, gjithashtu ka marrë edhe çmimin “Human Rights Awards”, që ne e përgëzojmë dhe urojmë që ajo të arrij edhe më shumë në profesion. Bashkëpunimi me figura të suksesshme domosdo që është edhe një përfitim për të rinjtë e Gjilanit dhe talentëve të rinjë”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Ai e ka informuar edhe për punën dhe angazhimin që bëhet në fushën e kulturës në Komunën e Gjilanit, e cila është qendra më e fuqishme e organizimeve në këtë rrafsh, derisa ka përmendur “Flakën e Janarit”, si manifestim kulturor me karakter mbarëkombëtar që gjithnjë ka prurje të reja dhe zgjerim të aktiviteteve.

Kurse Tringa Rexhepi, ka falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit për mirënjohjen dhe për gjitha angazhimet në organizime të shumta që i bënë në fushën e kulturës dhe artit në përgjithësi, duke ofruar bashkëpunimin dhe përkrahjen e plotë për të mbështetur talentët e rinjtë në përgjithësi, në rrugën e tyre drejtë ngritjes profesionale dhe karrierës në përgjithësi.

“Jam e angazhuar në shumë projekte dhe në shumë punë që kanë qëllim afirmimin e vlerave kulturore. Ndjehem krenare që Gjilani ka shënuar hapa të mëdhnjë në këtë drejtim dhe që është një vend që mbështet kulturën në përgjithësi. Një qytet që nuk ka art dhe aktivitete të ndryshme kulturore ai qytet nuk ka as energji dhe zemër. Ju faleminderit për mirënjohjen, të cilën e vlerësoj si vlerësim të lartë për mua”, ka thënë Rexhepi.