Lutfi Haziri: Do t’i përmbush të kërkesat e arsyeshme të besimtarëve

Lutfi Haziri ka pritur sot myftiun e Kosovës, Naim Tërnava. Haziri ka thënë se ka në plan përmbushjen e kërkesave të arsyeshme të besimtarëve dhe në shërbim të përmirësimit të gjendjes. Edhe Tërnava ka shprehur mbështetje në punën e Hazirit.

Lajme

26/02/2014 15:13

Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava me të cilin ka biseduar për bashkërendimin e punëve në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit të Komunës e vendit në përgjithësi.

Haziri, me këtë rast ka thënë se bashkëpunimi me Bashkësinë Islame, me imamët dhe me xhamtin në Gjilan është shumë i mirë.

Gjatë fushatës për zgjedhjet komunale të citit të kaluar, Lutfi Haziri kishte premtuar se do t’i lejojë nxënëset me shami ta vijojnë procesin mësimor, pavarësisht urdhëresave nga pushteti qendror.

“Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me BI-në, imamët por edhe me xhematin. Në Programin tim ka një rend të punës për t’i përmbushur kërkesat e besimtarëve, të cilat janë të arsyeshme dhe në shërbim të përmirësimit të gjendjes në përgjithësi”, ka thënë ai duke spikatur vlerën e madhe të kombit shqiptarë për tolerancë  të vazhdueshme ndërfetare.

Nga ana tjetër Tërnava, pasi ka uruar kryetarin për detyrën e re, ka thënë se kjo është një përgjegjësi shumë e madhe, por edhe privilegj të jesh në shërbim të qytetarëve.

“Është ndjenjë e mirë kur një kryetar si ju ka vullnetin për punë të mira. Më vjen shumë mirë për gatishmërinë që e keni për bashkëpunim të Komunës me Bashkësinë Islame. Kjo është rruga më e mirë. Meqë e keni vullnetin për punë të hajrit, do t’u ndihmoj edhe Zoti. Do të jemi përherë mbështetës në punën tuaj”, ka thënë myftiu Naim Tërnava.