Lutfi Haziri ambicie për kryetar të partisë: LDK është e imja

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, nuk i ka mohuar fjalët që po qarkullojnë nëpër rrethe të ndryshme se, ai është duke pretenduar kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

Lajme

27/06/2014 21:07

Pas humbjes dy herë radhazi të zgjedhjeve nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, fillimisht ato për kryetar të Prishtinës dhe tani parlamentaret, kanë filluar të dalin shumë zëra, që kërkojnë reforma në parti. 

Lutfi Haziri megjithëse është kryetar i komunës së Gjilanit këto ditë më shumë shihet në Prishtinë se sa në Gjilan. Ai duket se është “kumbar” i koalicionit mes AAK-së dhe Nismës, megjithëse nuk e pranon këtë “epitet”.

Por, prapa “shpinës” së tij po flitet se Luta po vrapon pas këtij projekti qeveritar për të përfituar vetë ai, madje edhe postin e të parit të LDK-së. 

Haziri në një intervistë për gazetën BotaPress të numrit të nesërm, ka thënë se ai është rritur me LDK-në, dhe nuk e lejon askëndë që ta marrë partinë, i cili ka ardhur “përmes oxhakut në LDK”. 

“Unë jam në LDK-në. Unë nuk kam çka të marrë, sepse LDK-ja është e imja. Unë kam qenë gjithmonë në strukturat udhëheqëse të LDK-së. LDK ma ka dhënë nderin më të madh që si 29 vjeçar më ka kandiduar për kryetar të Gjilanit dhe kam fituar, dhe më ka emëruar në organet e qeverisë dhe besimin e kam kthyer me punë. Kam qenë kryetar i Grupit Parlamentar dhe me punë angazhimin tim e kam kthyer”. 

“Kam qenë i vetmi njeri që është rizgjedh ministër dhe atë atribut e kam realizuar me angazhime dhe me përgjegjësi të plotë. Mua nuk më duhet të marr diçka që e kam sot, që e kam pasur para 24 vjetëve. LDK-në e kam familje timen politike dhe nuk lejoj që familjen time ta prek askush që ka ardhur përmes oxhakut dhe mendon se ka vend në familjen politike çfarë është LDK-ja”, ka thënë Haziri.