Lustracioni, indulgjencë për ndërgjegjet e rënduara

A mundet të ekzistojnë dosjet në një vend ku thesari i shtetit, zgjedhjet, banka, dhe madje edhe vetë vjedhja vidhet?! Kush i siguroi, kush i mbrojti? Cila qeveri, cilët nëpunës? Cili institucion?

Opinion

17/12/2014 16:20

Unë i përkas një brezi, i cili erdhi në këtë jetë kur sistemi komunist ishte ne fund të kllapisë së tij. E megjithatë, aq shumë dëgjojmë për atë sistem sa fantazma e tij, siç përndjek këdo prodhim të tijin, po aq na përndjek dhe ne që s’kemi asnjë lidhje, qoftë edhe historike, me të.

Është bërë e udhës në këto vite, sa herë që përballemi me një të vërtetë, me një ngërç, ose qoftë edhe kur një grupim sado i vogël e pa interes gjendet pa kauze, të evokohet në të tashmen një fantazmë nga e shkuara për të trazuar të ardhmen. Nuk mungojë përballjet titanike ndërmjet, enturazhit të etërve dhe të bijve, të majtëve e të djathtëve, përndjekësve dhe të përndjekurve, të vdekurve mes të gjallëve dhe të gjallëve mes të vdekurve, të bërë të gjithë bashkë si një masë e vetme amorfe.

Problemi kryesor është se në këtë mjegullnajë plëngprishëse nuk dallohet ku fillon e drejta e ku mbaron gabimi, kush është fajtori e kush viktima, kush ishte persekutori e kush i persekutuar. Dhe i gjithë procesi zhvillohet sipas një riti okult, që vjen si furtunë dhe ikën si fllad. E pasi mali mbarset pjell një mi. Megjithëse ne thelb të këtij procesi folklorik duket se ka një të vërtetë, ajo e vërtetë në thelb nuk ekziston. Nuk ekziston për faktin e thjeshtë sepse dosjet nuk ekzistojnë.

A mundet të ekzistojnë dosjet në një vend ku thesari i shtetit, zgjedhjet, banka, dhe madje edhe vetë vjedhja vidhet?! Kush i siguroi, kush i mbrojti? Cila qeveri, cilët nëpunës? Cili institucion? Faktikisht, asgjë nga e shkuara jonë nuk është konservuar dhe trajtuar me seriozitetin e të vërtetës. Duke filluar, që nga ekonomia, industria, bujqësia, ish-pronarët, ish-të përndjekurit, e deri te Blloku, bunkerët e madje edhe vetë historia. S’ka asnjë procedure e asnjë precedencë.

Krijesat që kanë qenë brenda dosjeve, pasi kanë dalë dhe janë bërë të fuqishme e me pushtet, kanë ngrënë dosjet me gjithë të vërtetat e tyre. E kur s’kanë pasur më uri, i kanë qarkulluar nëpër studio televizionesh, si një komedi të zezë, qe s’të bën për të qeshur. Sigurisht që çmimin e këtyre ngjarjeve gjithnjë e paguajnë studenti që s’ka asnjë lidhje, prindi që lufton për të siguruar jetën e fëmijës, pensionisti që nuk blen dot ilaçet dhe çdo njeri që ndershmërisht paguan fatura në këtë vend.

Edhe nëse ka shpëtuar ndonjë informacion i vërtetë në këto copa kartoni, ato janë vetëm dramat fatkeqe të kujtdo fakiri që u mbyt bashkë me sistemin. Ata që qofshin akuzatorë a akuzues, qoftë informatorë e të përgjuar, në shumicën e rasteve kanë qenë të dy viktima. E vazhdojnë të jenë viktima, qoftë të atij e qoftë të këtij sistemi. Ideja e zhvillimit të një procesi eunuk e gjysmak është një skenar ku do të riaktivizohen nostalgjitë, urrejtjet, hasmëritë, mëvetësitë në një shoqëri që aq shume ka vuajtur nga këto plagë. Kujt do t’i shërbejë ky proces?

Shqipërisë jo. As popullit. Askujt. përveçse një grushti me njerëz, që pasi i kanë fshirë të vërtetat dhe zhdukur të shkuarën, rikonfirmohen dhe dalin më të moralshëm e më të fortë. Sigurisht edhe një grushti vulëhumburish, që duan ta hipotekojnë këtë kauzë si kapitalin e fundit politik.

Projektligji i ri për lustracionin ka një objekt shumë të gjerë, duke filluar që nga ish-udhëheqësit politikë, njerëzit e shquar të atij sistemi dhe deri te persekutorët, bashkëpunëtorët e tyre dhe kujtdo shërbyesi të sistemi të shkuar. Ama, për këtë projektligj, të gjithë do të trajtohen njësoj dhe të gjithë do të kenë të njëjtat kufizime. Çdo individ në një sistem e zhvillon karrierën e vet sipas moralit në fuqi dhe rregullave ligjorë te dala sipas modelit që shoqëria adopton në atë kohë.

Të kesh pasur karrierë në sistemin komunist nuk është krim. Këto arsye dhe shume të tjera siç janë standardet kushtetuese ndërkombëtare, parimi proporcionalitetit ndërmjet kufizimeve të vendosura dhe përfitimit kolektiv, kriteri i ndëshkimit dhe nxjerrjes së përgjegjësisë individuale në vend të asaj kolektive, janë në thelb arsyet ligjore përse tentativa e parë e kësaj farse që gjeti mbështetje në Kuvend u rrezua nga gjykata Kushtetuese në vitin 2008. Këto parime qëndrojnë dhe sot po aq fuqishëm. Prandaj, tentativa e re, e cila filloi si shfaqje dhe do të përfundojë si farsë, nuk i shërben asnjë çështjeje dhe nuk është zgjidhje për asnjë aspiratë të shoqërisë sonë.

Qytetarët e këtij vendi kanë nevojë për kauza, alternativa, zhvillime dhe shumë punë. Në mënyrë që ne që sapo diplomohemi, të gjejmë alternativa punësimi; studentët të mos jenë prodhime serie të një fabrike të falimentuar, familjet të sigurojnë ekonomi solide, pensionistët mbijetesë e shtresat në nevojë më shumë qasje. Shfaqjet pompoze dhe fantazitë për hapjen e një grope me gjysmë të vërteta që shërbejnë si indulgjenca për ndërgjegjet e rënduara nuk na japin mundësi ne studentëve, as punë profesionisteve, as më shumë drejtësi qytetarëve madje as kredo e kauzë atyre që e kanë humbur gjatë kësaj sëkëlldie tranzicioni që duket i pafundmë.

(Marrë nga Gazeta Shekulli)