Lunacek e bindur se BE nuk do ta pranojë Serbinë, pa e njohur Kosovën

Eurodeputetja, Ulrike Lunacek, tha se pas nënshkrimit të MSA-së, Kosovën nuk e ndalon asgjë që të aplikojë për statusin kandidat për anëtarësim në BE.

Lajme

23/04/2015 15:59

Gjatë një debati të organizuar nga “Forumi 2015”, Lunacek, ka thënë se Serbia duhet ta njohë Kosovën, para se ajo të anëtarësohet në BE.

“Mendoj që është e qartë dhe kam thënë edhe në Serbi shumë shpesh, se pa njohje edhe nga ana e Serbisë, në fund të rrugës, jam e bindur që shtetet anëtare nuk do ta lejojnë një shtet tjetër në Bashkimin Europian, e cila nuk i ka të qartësuar kufijtë. Sepse e kemi rastin e Qipros. E gjitha kjo nuk do ta ndalonte Kosovën të shkojë, që pas MSA-së, të kandidojë për statusin e kandidatit. Ky është mendimi im”, tha ajo.

Në debatin me titullin “Perspektiva Europiane, Ecje nëpër mjegull”, projekt avokues i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, që u mbajt sot, u diskutua për aspektet e kësaj perspektive

Temë kryesore e këtij debati ishe edhe miratimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim mes Kosovës dhe Bashkimit Europian që pritet të bëhet javën e ardhshme.

Samule Zhbogar, përfaqësues i Bashkimit Europian në Kosovë, gjatë këtij debati, tha se në këtë mënyrë, mundësohet që MSA-ja të nënshkruhet para verës së këtij viti. Zhbogar theksoi se një marrëveshje e tillë është me një rëndësi shumë të madhe për sigurimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe BE-së.

Samuel Zhbogar tha se janë të përkushtuar për integrimin e Ballkanit në BE. Përfshirë këtu Kosovën, që sipas tij, është në interesin e brendshëm të Bashkimit Europian, që Kosova të vazhdojë të ecë drejt BE-së.

“Kemi negociuar për MSA-në, e kemi përfunduar, e kemi nisur javën e kaluar dhe javën tjetër me 30 prill do ta miratojë MSA-në me Kosovën, do t’ua dërgojë shteteve anëtare për diskutim dhe me këtë sigurisht do të na mundësojë që ta nënshkruajmë para verës. Pra, do të kemi marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Një marrëveshje shumë gjithëpërfshirëse, përcakton edhe dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe mendoj se është, asnjëherë s’e kam përdorur fjalën historik, por mendoj se është shumë më rëndësi për sigurimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Be-së”, tha Zbogar.

Miratimin, e pastaj nënshkrimin e MSA-së, ministri i integrimeve, Bekim Çollaku e cilëson si zhvillim të jashtëzakonshëm pozitiv.

Fakti se një marrëveshje e tillë nuk do të ratifikohet nga pesë vende anëtare të BE-së, sipas Çollakut, nuk e zbehë këtë marrëveshje.

“Fakti që nuk do të ratifikohet nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian, nuk e zbehë në asnjë rrethanë këtë marrëveshje. Sepse, pas traktatit të Lisbonës, Bashkimi Europian e ka hap këtë autoritet që të nënshkruajë marrëveshje bilaterale me shtete dhe më këdo që ata e shohin të rëndësishme. Dhe, pikërisht duke iu falënderuar kësaj baze ligjore që e ka Bashkimi Europian, Kosova do të mund të nënshkruajë marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e cila në tërësi është e njëjtë dhe gjithë substancat dhe marrëveshjet që kanë nënshkruar shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Madje, Çollaku tha se nëse Kosova do të kishte marrëveshje të njëjta me procedura të njëjta, kjo veç do t’ia vështirësonte zhvillimin. Sipas tij, në rrethana të tilla, pesë vendet në fjalë, do t’i thonin jo këtij zhvillimi të Kosovës.

E Gerald Knaus, themelues dhe udhëheqës i European Stability Iniciative, që ishte njëri nga panelistët e ftuar, shtroi disa propozime për Bashkimin Europian, ndër të tjera duke kërkuar që Kosova të vlerësohet si të gjitha vendet e tjera fqinje.

“Ky është propozimi im i parë: Të vlerësohet Kosova si gjithë të tjerët, si Turqia , si fqinjët. Raporti sivjet duhet të shkruhet kështu, nëse jo, atëherë duhet të protestoni, duhet të thoni kjo nuk është fer. Por do të ishte interesante sepse shkon deri në gjithë procesin e zgjerimit, kemi folur për një vit e gjysmë dhe kam pas shumë takime në komision me drejtorin gjeneral, se BE duhet të shkojë drejt deminimit në çdo sektor të reformave, një udhërrëfyes siç ka bërë edhe për viza, dhe këto udhërrëfyes për shtetet do të jenë gati të njëjta, që duhet t’i arrijnë kushtet e njëjta dhe mund të vlerësohet çdo vit me raportin e progresit”, tha ai.

Kanus tha se BE ka metodë të shkëlqyeshme për ta matur korrupsionin. Andaj, sipas tij, duhet të futet metodologjia e raportit të BE-së për korrupsion edhe në Kosovë.

Sipas tij, Kosova duhet të aplikojë në Këshill të Europës këtë vit. Siç tha ai, këtë Kosova e bënë për t’u lidhur me mekanizmat europiane, dhe kështu sipas tij, mund të garohet me të drejtë, transmeton KosovaPress.