Lumturia e shpjeguar nga Eqa

Përkundër humbjes në Prizren, Eqrem Kryeziu është i lumtur. I sjell kënaqësi rezultati i LDK'së në zgjedhje dhe fakti që Ramadan Muja ka marrë 8 mijë vota më pak se para 4 vjetësh. Thotë se diferenca s'është meritë e votave të PDK'së. E pret balotazhin.

Lajme

06/11/2013 06:08

Eqrem Kryeziu nuk e sheh veten humbës në garën për Prizrenin.

Votimet e së dielës për Kryetar Komune e nxorën atë njeriun e dytë të votuar në Prizren, pas Kryetarit aktual Ramadan Muja. Kjo nënkupton se kundërshtarët e moçëm politikë do ta kenë edhe një përballje tjetër para vetes – atë të balotazhit të 1 dhjetorit, kur prizrenasit do të thirren për të dalë përsëri para kutive të votimit për të zgjedhur Kryetarin për mandatin e ardhshëm katërvjecar.

Kur janë numëruar mbi 95 për qind e votave, Eqrem Kryeziu i LDK’së figuron i votuar nga 15.963 votues, ose me 25.22 për qind.

Rivali i tij, Ramadan Muja i PDK’së, ka marrë 23.470 vota, ose 37.08 për qind.

Por, në një intervistë për lajmi.net, Eqrem Kryeziu thotë se është shumë i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve në Prizren.

“Zotri Muja i ka 8 mijë vota më pak sesa para 4 vjetësh. Si të mos jem i kënaqur?”, thotë Kryeziu.

I kënaqur ndoshta jo aq shumë për veten sa për kolegët nga partia e tij në komunat tjera si Gjilani, Peja, Lipjani… ku partia ktheu deri diku ndikimin duke rritur votat.

“Unë jam shumë i kënaqur me rezultatin. Se me të vërtetë kanë fituar disa figura të rëndësishme të LDK’së në Prishtinë”.

Por, kur është fjala për rezultatin e Prizrenit, Kryeziu mendon se diferenca e Mujës ndaj tij nuk është meritë e votave të PDK’së.

“Jam i kënaqur, sepse tabori tjetër ka 8 mijë vota më pak sesa para 4 vjetësh dhe ka bërë koalicion parazgjedhor. Tash, këto figurat e rëndësishme e kanë harruar këtë, por fundi i fundit, i kanë hallet e veta, a nuk po ju hahet pasuli për Prizrenin!”.

Kryeziu fitoren e sheh në mes të dy koalicioneve, atij parazgjedhor që e bëri Thaçi, dhe koalicionit mbaszgjedhor.

“Koalicioni parazgjedhor që e bëri zotëri Thaçi, e bëri  në listë me partitë krejt që mund t’i nxjerrte në një ombrellë, megjithatë ai koalicion dha 8 mijë vota më pak sesa para 4 vjetësh me të njëjtin koalicion.”

“Neve që nuk kemi qenë në atë listë parazgjedhore në atë koalicion, na ka mbetur që ta bëjmë listën tonë. Dhe të shohim a do të fitojë koalicioni parazgjedhor a ky mbaszgjedhor”.

Kryeziu thotë se Partia Demokratike e Kosovës ka marrë vota nga minoritarët. Ndërsa, pohon se do t’i vinte turp për atë që Kandidati i PDK’së ka ndjerë para zgjedhjeve.

“Katër partitë e minoriteteve kanë dhënë afër 8 mijë vota. Me ta ka qenë koalicion parazgjedhor dhe kjo është krejt legale. Por, mua do të më vinte turp për të hyrë në koalicion parazgjedhor nga frika se ndoshta as në balotazh nuk mund të shkojë Kandidati i PDK’së”.