Lulzim Rafuna: Në Doganë, një shef në një punëtor

Në emision Puls të KTV-së është diskutuar për Doganën e Kosovës. I ftuar ishte drejtori i Doganës, Lulzim Rafuna, deputeti i Vetëvendosjes, Sali Salihu, deputeti i LDK-së, Blerim Grainca, si dhe biznesmeni Hyzer Gashi.

Lajme

16/03/2015 21:34

Deputeti Grainca tha se Dogana e Kosovës e ka pasur të planifikuar të mbledhë 940 milionë euro ndërsa kanë mbledhur 847 milionë , që do të thotë 65 milionë më pak.

Drejtori Rafuna tha se në vitin 2014 ka pasur rënie të hyrjes së mallrave, mirëpo si theksoi ai, të hyrat janë rritur për 4% në krahasim me vitin 2013.

Ndërkaq, biznesmeni Gashi tha se njerëzit që kanë qenë të lidhur me pushtetin i kanë krijuar terminalet doganore, për të cilat ai pati shumë ankesa.

“Po na rjepin biznesin me shërbimet që japin. Dogana e Kosovës është nën lajthitje të grupeve të interesit pasi që këto terminale doganore marrin shumë para dhe janë të fuqishëm. Ne jemi duke u dëmtuar dhe duke u favorizuar një grup i bizneseve. Pronarët e terminaleve përfitojnë duke në dëmtuar neve bizneseve tjera, duke paguar nga 40 euro për një maune. Ne kemi barriera të mëdha. Shqipëria paguan 1,200 lekë për qëndrim, në Bari të Italisë 12 euro paguhet në terminal, në Maqedoni është zero euro, ndërsa tek ne 40 euro. Duhet të hiqen këto terminale. Dogana duhet të na ndihmojë sepse ne jemi duke falimentuar, ndërsa Administrata Tatimore po na gërryen duke na kontrolluar”, ka theksuar Gashi.

Drejtori i Doganës tha se institucioni që ai e drejton nuk ka kompetencë ndaj terminaleve doganore, sepse të gjitha këto terminale, sipas tij, licencohen nga Ministria e Infrastrukturës.

“Ne nuk kemi asnjë kompetencë. Ne kemi lehtësuar shumë gjëra për biznese”, ka thënë Rafuna.

Ndërkaq, Blerim Grainca tha se “Beli Eurofol” ka importuar material mbeturinë industriale që përdoret për riciklim, por Dogana e ka kontestuar.

“Pra, Dogana e Kosovës nuk i ka besuar dokumentacionit përcjellës nga Dogana gjermane dhe i keni rivlerësuar”.

Rafuna, duke u përgjigjur në këtë rast, tha se kompanisë “Beli Eurofol” nuk i është rivlerësuar malli, por bëhet fjalë për numrin tarifor.

“Ai me një numër tjetër tarifor që ka dalë nga Gjermania i nënshtrohet tatimit prej 10% ndërsa në Kosovë me atë numër që është deklaruar, ai mall lirohet 10%, pra me një numër, dhe rasti është në prokurori. Është ngritur aktakuzë Z.Grainca”, tha Rafuna.

Gjatë këtij debati u  përmendën edhe blerjet e automjeteve pa doganë nga Dogana e Kosovës, lëshimi në treg i lodrave kancerogjene si dhe skandali me arin turk.

“Lodrat kancerogjene kanë qenë kompetencë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë deri para dy javësh dhe gjatë kontrollit nuk ka pasur lodra kancerogjene. Automjetin pa doganë e kam blerë nga një kontraktues i KFOR-it amerikan. Unë e kam dokumentin e zyrës ligjore nga UNMIK-u. Më kanë lëshuar dokumentin se kam të drejtë që të mos e doganoj dhe kjo veturë nuk i nënshtrohet zhdoganimit”, ka theksuar Rafuna, ndërsa e ka prezantuar në emision edhe dokumentin në fjalë.

Blerim Grainca e akuzoi drejtorin e Doganës për shkelje ligjore, duke i thënë se “me vet faktin që ju si zyrtar ligjor në Doganë, në pozicionin e zyrtarit ligjor, keni bërë shkelje sepse veturat pa doganë i fusin vetëm UNMIK-u, KFOR-i, EULEX-i e veteranët e luftës”.

“Në momentin kur ju e përktheni në emër tuajin, duhet ta doganoni. Kur edhe Qeveria i doganon, pse ju jo”, pyeti Grainca.

Ndërkaq, duke folur për çështjen e arit nga Turqia, Rafuna tha se “nuk ka të bëjë më 10 kilogramë, por me 140 gramë, sasi kjo që ka ardhur përmes Ambasadës turke në Prishtinë dhe Mal të Zi”.

“Ne kemi çdo ditë raste të tilla dhe ne e ndalim. Pra janë 25 unaza të arit të kërkuara nga Ambasada e Turqisë. Pra, është në emër të Ambasadës dhe s’ka asgjë kontestuese”, theksoi Rafuna.

Drejtori i Doganës foli edhe për 300 kompani shpedicioni, që janë me pronarë të afërm të oficerëve doganorë.

“Në Doganë janë 44% shefa, ndërsa 46 % punëtorë. Çdo shef ka nga një punëtor. Ndërsa kërkesa e Komisionit Evropian ka qenë që vetëm 5% e stafit të jetë staf menaxhues. Jemi duke e rishqyrtuar bashkë me Ministrinë e Financave”, tha Rafuna, duke shtuar se është i hapur për çdo hetim parlamentar.

Deputeti i Vetëvendosjes, Sali Salihu, tha se problemi i importit të grurit për ushqimin e kafshëve ka shqetësuar shumë popullatën, por theksoi se gjatë vizitës që i ka bërë Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, ai ka zbuluar se “asnjëherë nuk është importuar grurë për ushqimin e kafshëve, kurse Dogana na ka informuar se janë importuar 10 mijë tonë grurë për ushqimin e kafshëve në Kosovë.

“Pastaj e vizituam edhe një herë AVUK-un për të pyetur se a kanë importuar grurë për ushqimin e kafshëve dhe ky institucion nuk ishte në gjendje për herën e dytë të na thotë se a kanë importuar apo jo grurë të tillë. Por gjatë kësaj jave do të shohim se kush është fajtor. Kam informacione se në kufi janë prezantuar dy dokumente. Ende këto nuk i kam të konfirmuara, por pres t’i shohim gjatë javës. Inspektorët e Doganës janë vetëm formalisht në Dogana”, theksoi Salihu.

Lulzim Rafuna tha se kompetent për kualitetin e mallit është AVUK.

“Dogana asnjë mall nuk e lejon pa e pasur certifikatën e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit. AVUK gjithmonë lëshon certifikatën që produkti i përmbush kushtet për të hyrë në vendin tonë dhe ne e lëshojmë në bazë të këtyre dokumenteve. Ne e kontrollojmë vetëm sasinë, tarifën dhe asgjë tjetër”, tha Rafuna, transmeton KTV.