Lulet në vazo: Disa këshilla se si t’iu zgjasni jetën

Për lulen e prerë e meta më e madhe është që zgjat pak.

Fun

07/04/2018 15:03

 

Nëse ambientin ditor tuajin e keni zbukuruar me lajmëtare të pranverës – me buqetë tulipanësh, narcisë, zymbyle apo me trëndafila të të gjitha stinëve, po ju japim disa këshilla se si lules në vazo t’ia zgjasni jetën, transmeton Telegrafi.

Para së gjithash, kur merrni dhuratë ndonjë lule apo vetë e blini, pritjani kërcejtë në mënyrë që lulja të mund në tërësi të absorbojë përbërësit nga uji. Në të vërtetë, fundi i kërcellit ku është prerë lulja, shpejt thahet dhe mbyllet andaj materiet ushqyese nuk mund t’i thithë lulja.

▪ Përdorni gërshërë të mprehta të dedikuara për krasitje të luleve, mirëpo nëse nuk keni të tilla mund të përdorni edhe thikë të mbrehtë. Prerja patjetër duhet te jetë e rregullt në mënyrë që të mos dëmtohet lulja dhe duhet të pritet nën kënd.

▪ Lulen sa më parë futeni në ujë.

▪ Më së miri është që uji të jetë i vakët dhe i ndenjur.

▪ Rregullisht ndërrojani ujin buqetës dhe kushtoni kujdes që të mos jetë shumë i ftohtë.

▪ Për të penguar zhvillimin e aromave të pakëndshme, në ujë mund të qitni një copë thëngjilli.

▪ Mbani lulet tuaja sa më larg mollëve, sepse ato përshpejtojnë kalbjen (mbani sa më larg na mollët edhe pemët e tjera në mënyrë që të zgjasin më shumë).

▪ Kujdes që fletët të mos prekin në ujë. Në ujë duhet të zhytet vetëm kërcelli i lules.

▪ Buqetën mos ia ekspozoni drejtpërdrejt diellit.

▪ Në ujë qitni pak sheqer apo disa pika lëng limoni, sepse, edhe njëra, edhe tjetra, ia zgjasin jetën lules në vazo. Vendosni për njërin ndër këto dy opsione, në mënyrë që të mos krijoni limonadë.

▪ Në ujë mund të qitni edhe disa pika uthulle ose vodke. Edhe njëra, edhe tjetra vrasin bakteret.

▪ Për të freskuar buqetën mund të qitni në ujë edhe multivitamina shkumuese.

▪ Kujdesuni për buqetën tuaj – eliminoni nga ajo fletët e vyshkura dhe petalet.

Lulja e mbajtur kështu në vazo mund të zgjasë edhe deri në dy javë. /Telegrafi/