Lulaj: Ekografia nuk ka efekte negative – gjinekologët po e keqpërdorin

Pediatër, gjinekologë e profesionistë të tjerë shëndetësorë janë mbledhur sot në një Simpozium të organizuar nga Shoqata e Pediatërve dhe ajo e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës.

Lajme

13/12/2017 14:20

Simpoziumi për “Skrining prenatal të anomalive të lindura të zemrës në Kosovë”, është hapur nga gjinekologu Shefqet Lulaj.

Dr. Lulaj ka ligjëruar mbi skriningun ekografik në obstetrikë, ku ka shpjeguar për procedurat që duhet ndjekur nga hulumtimet e fundit, si dhe keqpërdorimet që bëhen nga gjinekologët në Kosovë, shkruan Gazeta Shneta.

Mjeku ka thënë se duhet bërë me dije pacienteve se ekografia diagnostike nuk ka ndonjë veprim negativ në organizmin e nënës dhe frytit të saj.

Sipas një studimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lulaj thotë se dy ekzaminime ekografike janë të mjaftueshme në shtatzëni.

“Nga një studim i madh RADIUS, i bërë te një grup i madh i shtatzënave me risk të ulët, është analizuar efikasiteti i ekzaminimit ekografik dhe në përfundimet perinatale del se në këtë grup shtatzënash mjaftojnë 2 skriningje ekografike”, ka deklaruar gjinekologu Lulaj.

Sipas këtij studimi, dy skriningjet rekomandohet të kryhen ndërmjet javëve 15-22 dhe 31-35.

Por jo të gjithë e respektojnë këtë rekomandim nga hulumtimi në SHBA. Sipas Lulajt skriningu ekografik keqpërdoret nga gjinekologët në Kosovë.

“Të gjithë ne abuzojmë me këtë metodë, bëjmë ekzaminime, i përsërisim ato, derisa është vërtetuar se benifiti është i njëjtë si 2 ekzaminime, si 10 sosh”, ka deklaruar Dr. Lulaj. /Gazeta Shneta